Inzaghi i zhgënjyer nga përplasja e ashpër e Lukakut dhe Barellës: Nuk më pëlqen ta shoh sepse janë miq

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi u shfaq i zhgënjyer nga sherri mes Romelu Lukakut dhe Nicola Barella-s në fushë gjatë ndeshjes kundër Sampdorias dhe siç tha vetë, nuk i pëlqen të shohë gjëra të tilla në fushë, sidomos kur bëhet fjalë për dy miq shumë të mirë, siç janë ata të dy.

Interi mbrëmë nuk arriti të fitojë ndaj Sampdorias dhe rezultati final i ndeshjes ishte 0:0.

Por ajo që mori më shumë vëmendjen e ndeshjes ishte përleshja mes Lukakut dhe Barellës në pjesën e parë, kur sulmuesi nga Belgjika iu drejtua shokut të skuadrës dhe e kërcënoi që të mos fliste më, si dhe përdori fjalë vulgare dhe shau kolegun e tij. Është e qartë se trajneri Inzaghi nuk e pëlqeu këtë.

"Gjëra të tilla ndodhin, megjithëse nuk duhet të ndodhin në fushë dhe nuk më pëlqen t'i shoh, por ata ishin ulur së bashku në pjesën e parë dhe janë miq të mirë. Natyrisht, këto janë incidente që unë nuk dua t’i shoh në fushë”, tha Inzaghi.

Sa i përket ndeshjes, Inzaghi tha se ishte shumë i zhgënjyer pasi skuadra e tij nuk arriti të shënonte dhe të fitonte.

“Sigurisht që jam i zhgënjyer sepse donim të fitonim, nuk e nënvlerësuam Sampdorian dhe duhej të kishim arritur një rezultat më të mirë duke pasur parasysh numrin e rasteve që krijuam”, tha Inzaghi dhe vazhdoi:

“Unë vazhdoj të them se duhet të fokusohemi vetëm te vetja, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësojmë më tej lojën tonë”.

Interi do ta luajë ndeshjen e radhës kundër Udineses në shtëpi, e më pas do të ketë edhe një ndeshje në shtëpi me Porton në Champions League.