Brnabiç vendos kushte: Fillimisht Asociacioni, pastaj vazhdimi i negociatave

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka deklaruar këtë të hënë se Beogradi është gjithmonë i gatshëm për bisedime me Kosovën, por se fillimisht Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe duhet të formohet dhe se këtë herë është qëndrim i përbashkët i Serbisë dhe partnerëve të saj perëndimorë – në radhë të parë i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, Brnabiç theksoi se Serbia ka treguar se deri në çfarë mase është e gatshme për dialog dhe “sa tolerante dhe fleksibile është për të ruajtur stabilitetin”, duke theksuar se është koha për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe për të themeluar Asociacionin.

“Këtë herë dua të falënderoj partnerët tanë Perëndimorë, sepse ata insistojnë në themelimin e Asociacionit në atë mënyrë se si u nënshkrua në 2013 dhe 2015 dhe në mënyrën se si u diskutua në fund të vitit 2022. Duket se edhe këtë herë jemi në të njëjtin këndvështrim”, potencoi ajo.

Brnabiç deklaroi se “dihet se çfarë është nënshkruar dhe çfarë duhet zbatuar, pavarësisht se çfarë thotë Albin Kurti”.

Serbia prej kohësh ka këmbëngulur se nuk mund të vazhdohet me nënshkrim të marrëveshjeve të tjera, derisa nuk zbatohen fillimisht ato paraprake, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithsesi, Asociacioni është pjesë e Marrëveshjes së vitit 2013, marrëveshje të cilën Serbia nuk e kishte ratifikuar asnjëherë në parlamentin e saj si marrëveshje ndërkombëtare.

Po ashtu, ka edhe shumë marrëveshje të tjera që Serbia i ka nënshkruar, por refuzon t’i implementojë, siç është marrëveshja për kthimin e regjistrave kadastral, apo ajo e diplomave.