Serie A/ Napolin s’e ndal askush, vazhdon marshimin drejt titullit

Napoli ka hedhur një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion sot, pasi ka mundur me shifrat 3-0 Cremonesen në shtëpi, duke vazhduar marshimin i vetmuar në majën e klasifikimit të Serisë A.

Skuadra e Spalletit vihej përballë ekipit i cili në mënyrë të papritur e kishte eliminuar nga Kupa e Italisë. Por në kampionat ishte një histori krejtësisht tjetër dhe në stadiumin “Diego Maradona” kanë qenë vendasit që kanë diktuar ritmin.

Kvaratskhelia i dha avantazhin skuadrës së tij në pjesën e parë të sfidës, ndërsa në të dytën ishte Osimhen ai i cili dyfishoi rezultatin.

Festës iu bashkua edhe Elmas, i cili shënoi golin e rezultatit përfundimtar 3-0, që solli pikët e radhës për napolitanët dhe çoi në +16 nga Interi i vendit të dytë.