VIDEO/ Isabel Poro 10 - vjeçarja shqiptare që shkel në shtëpinë e madhe të Sanremos
'Shtëpia e Sanremos', në edicionin e saj të gjatëmbëdhjetë, hapi dyert sërish gjatë javës së festivalit. Vendi i dedikuar mikpritjes për 'Festivalin e Sanremos' edhe në këtë edicion, iu përkushtua përfshirjes së artistëve të rinj duke organizuar evente paralele me festivalin.
Isabel Poro është 10-vjeçarja e vetme, e cila arriti të hyjë në shtëpinë e madhe të Sanremos. Mes pak artistëve të rinj, të përzgjedhur me kujdes nga profesionistë të muzikës italiane, Isabel ka triumfuar me performancën e saj duke fituar zemrat e shumë njerëzve të rëndësishëm të botës së muzikës italiane.
'Casa Sanremo' u themelua në vitin 2008 me synimin për të krijuar një vend takimi dedikuar profesionistëve që ndjekin ngjarjen. Performancat dhe shfaqjet u zhvilluan paralelisht me ditët e Festivalit të Sanremos. Talenti i vogëlushes shqiptare, Isabel Poro tërhoqi veçanërisht vëmendjen e Danila Satrango (vocal coach e Maneskin, Arisa, Jovanotti, Giusy Ferreri, Annalisa etj.) dhe Massimo Morini (autor, aranzhues, producent regjistrimi, për 12 herë Dirigjent i Orkestrës së Festivalit të Sanremos).
Isabel këndon muzikë lirike dhe ka fituar çmime të ndryshme në disa konkurse ndërkombëtare të këngës. Ajo ka lindur në Kanada dhe sot jeton bashkë me familjen në Shqipëri. Talenti i saj u zbulua rastësisht, pasi ajo është e apasionuar pas këngëtarit Andrea Bocelli dhe e dëgjonte atë çdo ditë. Më pas, filloi ta imitonte Bocellin në mënyrën se si ai këndonte deri sa mësuesja e muzikës vendosi ta testonte profesionalisht.
Sot, ajo trajnohet nga Fio Zanotti, një nga kompozitorët dhe drejtuesit e orkestrës më të vlerësuar në Itali, me një kurrikulë muzikore shumë të respektuar, aktualisht edhe dirigjenti ‘Sanremos’. Gjithashtu, Poro ndiqet edhe nga sopranoja e famshme, Ulpjana Aliaj, një këngëtare operash që zhvillon karrierën muzikore me role të ndryshme në skenat e huaja operistike.
Ajo është gjithashtu një tjetër emër që i shtohet listës së artistëve që na bëjnë krenarë dhe si të tillë, janë ‘ambasadorët’ më të mirë për ne shqiptarët.