Stoltenberg drejt largimit/ Nuk do të kërkojë mandat të ri në krye të NATO-s

Jens Stoltenberg do ta përfundojë mandatin e tij në krye të NATO-s tetorin e ardhshëm, sikurse ishte parashikuar.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënëse e Aleancës, e cituar nga gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”.

 Oana Lungesco ka nënvizuar se Stoltenberg nuk ka ndërmend të kërkojë një mandat të ri, pas zgjatjes tre herë të atij fillestar, që i mundësoi drejtimin e NATO-s për 9 vjet.

Reagimi i zëdhënëses erdhi pasi gazeta gjermane “Welt am Sonntag” kishte shkruar se mandati i Stoltenberg do të zgjatej sërish.

Jens Stoltenberg, ekonomist dhe ish-lider i partisë laburistë norvegjeze, ka qenë kryeministër i Norvegjisë nga viti 2000 në 2001 dhe nga 2005-a në 2013-n, para se të zgjidhej vitin pasardhës sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Ai ka qenë edhe ministër i Financave dhe Energjetikës, por nuk ka pasur kurrë një formim ushtarak për të drejtuar një nga aleancat ushtarake më të mëdha në botë.