Elkier Bushkolaj: Tërmeti, PPP-të korruptive në ndërtim që fatkeqësinë e shndërruan në tragjedi

Në gusht 1999, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë goditi Marmaranë, një rajon me popullsi të dendur në jug të Stambollit, qyteti më i madh i Turqisë.

Kohëzgjatja e tërmetit ishte 49 sekonda, ndërsa bilanci i dëmeve ishte në kufijtë e apokalipsit, 17.500 të vdekur, mijëra të plagosur dhe miliona të pastrehë.

Kjo tragjedi do t’i hapte rrugën për në pushtet Rexhep Taip Erdoganit, i cili prej 23 vitesh udhëheq këtë vend, herë si Kryeministër e herë si President.

Pas tërmetit tragjik të 1999, qeveria turke aplikoi karshi shtetasve të saj taksën e tërmetit, ku përgjatë këtyre 23 viteve janë grumbulluar rreth 4.3 mld euro, të cilat ishin të dedikuara vetëm për ndërtimet në mënyrë që në rast tërmeti të parandalohej një tjetër bilanc tragjik në jetë njerëzisht si në 1999. 

Qeveria turke ndërmori një koncesion publik-privat për ndërtimin e banesave sociale në të gjithë Turqinë, mes të cilave edhe ne qytetet si Gaziantep, Kahramanmarash, Hatay, Malatay dhe Adana.

Me dhjetëra banesa private dhe objekte të vjetra në këto rajone u shembën për ti lënë vendin blloqeve të pallateve të ndërtuara nga kompanitë private për llogari të shtetit, teksa apartamentet u shpërndanë për banorët kryesisht si banesa sociale.

Kompanitë e ndërtimit, në një vend ku autokracia, korrupsioni e babëzia rrinë së bashku si shtati e hija, abuzuan me fondet, duke ndërtuar struktura të dobëta, madje në shumë objektet u kompanitë "kursyen" tek themelet dhe tek kolonat. 

Godinat u kolauduan pas përfundimit  e zyrtarët e korruptuar  në këmbim të rryshfetit mbyllën sytë përpara problematikave që lidheshin me sigurinë këtyre objekteve.

Ajo që të gjithë i trembeshin  më së shumti ndodhi, teksa tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit me magnitudë 7.8 ballë gjunjëzoi Turqinë.

Tërmeti që rrafshoi më shumë se 10 qytete nxori në sipërfaqe  një prej aferave më të mëdha të korrupsionit në këtë vend, por për fat të keq fatura që u pagua ishte shumë e shtrenjtë, më një bilanc, që deri  tani kur data shënon 12 shkurt, ka kaluar 30 mijë të vdekur, mijëra të plagosur dhe miliona të pastrehë. 

Pamjet post tërmet dhe historitë njerëzore të kësaj tragjedie të rrënqethin, ndërkohë mbarë bota prej një jave mban frymën dhe po solidarizohet me dhimbjen e pamatë të popullit turk.

Në qytet turke të prekura nga tërmeti janë rreth 25 mijë të vdekur, ndërsa matanë kufirit turk në qytet siriane,  deri tani raportohet për  vetëm 5 mijë viktima, kjo për shkak se ky koncesion në sektorin e ndërtimit nuk u aplikua në Siri.

Në pamjet e publikuara në mediet turke  dallohet qartë se disa pallate janë  zhvendosur  me themel nga toka si të ishin struktura kartoni e jo struktura hekuri e betoni.  Shumë prej objekteve  të rrënuara nga ky tërmet  ishin ndërtuar  vetëm 3 vitet e fundit.

Arrestimi I qindra biznesmenëve të ndërtimit që kishin fituar koncesionet për ndërtimin e këtyre objekteve është  tregues i një korrupsioni të paskrupullt, (Partneritet Privat-Publik) që një fatkeqësi natyrore e shndërroi në një tragjedi njerëzore.

Tërmetet nuk parashikohen ashtu si dhe bilanci i tyre në jetë njerëzish,  por me siguri bilanci i viktimave nuk do kishte qenë kaq i rëndë, nëse do të ishin zbatuar me rigorozitet standardet e ndërtimit që lidhen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre objekteve.

Jetët e humbura nuk kthehen më, por drejtësia e këtij vendi e ka në dorë të thotë fjalën e saj dhe të gjithë ata që përfituan nga kjo aferë të marrin ndëshkimin e merituar.