Dybala nuk mjafton, Roma dhe Lecce ndajnë nga një pikë

Roma nuk arrin të marrë më shumë se një pikë në transfertë përballë Lecces. Sfida në “Via Del Mare” përfundon në barazim 1-1 dhe të dyja skuadrat detyrohen të ndajnë nga një pikë. Vendasit kalojnë shumë shpejt në avantazh, por verdhekuqtë reagojnë menjëherë me Dybala, që shënon nga pika e bardhë.

Lecce kalon menjëherë në avantazh falë një autogoli të Ibanez, që devijon në portë një goditje me kokë të Baschirottos. Roma reagon 10 minuta më pas, duke fituar një penallti që transformohet në gol nga Dybala.

Verdhekuqtë rrisin lojën dhe i afrohen golit të avantazhit me El Shaarawy dhe Abraham, por Falcone ruan të paprekur portën e tij. Mbyllet në barazim 1-1 pjesa e parë në “Via Del Mare”.

Roma nis vrullshëm pjesën e dytë dhe i afrohet golit me Abraham, por sërish Falcone është vendimtar për vendasit dhe me pritjen e tij i mohon golin sulmuesit verdhekuq. Miqtë rrezikojnë në dy raste me Pellegrinin, por gjuajtjet e kapitenit përfundojnë jashtë kuadratit.

Pavarësisht përpjekjeve të Romës, nuk ndryshon rezultati i kësaj sfide. Kryeqytetasit ndonëse bëjnë një hap fals, ngjiten përkohësisht në vendin e tretë në renditje në kuotën e 41 pikëve.