VIDEO/ Si gëzohen ekipet e shpëtimit kur nxjerrin të tjerë të mbijetuar nga rrënojat

Iskenderun, Turqi - Gjashtë të afërm të grumbulluar në një xhep të vogël ajri, ditë pas dite. Një adoleshent i dëshpëruar ishte aq i etur saqë piu urinën e tij. Dy motra të frikësuara u ngushëlluan nga një këngë pop teksa prisnin që shpëtimtarët t'i lironin, njofton AP.

Këta të mbijetuar nga tërmeti ishin në mesin e më shumë se një duzinë njerëzve që u nxorrën të gjallë nga rrënojat të premten pasi kaluan mbi katër ditë të bllokuar në errësirë të ftohtë pas katastrofës që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Shpëtimet e pamundura, që erdhën shumë kohë pasi tërmeti 7.8 ballë i të hënës rrëzoi mijëra ndërtesa, ofruan momente kalimtare gëzimi mes një katastrofe që ka vrarë rreth 24,000 njerëz, ka plagosur të paktën 80,000 të tjerë dhe ka lënë miliona të pastrehë.

Në qytetin bregdetar mesdhetar të Iskenderun, një turmë brohoriste "Zoti është i madh!" pasi Haci Murat Kilinc dhe gruaja e tij, Raziye, u transportuan me barela në një ambulancë që priste.

"Keni punuar kaq shumë orë, Zoti ju bekoftë!" i tha një i afërm i çiftit, shpëtimtarëve të tyre.

Një punonjës i shpëtimit tha se Kilinc kishte bërë shaka me anëtarët e ekuipazhit ndërsa ishte ende i bllokuar nën rrënoja, duke u përpjekur të rriste moralin e tyre.

Dy orë më parë në Kahramanmaras, qyteti më i afërt me epiqendrën, shpëtimtarët përqafuan dhe brohoritën falënderime ndaj Zotit pasi nxorrën një burrë nga shtëpia e tij e shembur.

Në Adiyaman, një qytet i goditur rëndë me më shumë se një çerek milion njerëz, shpëtimtarët dhe shikuesit e mbajtën përbrenda gëzimin e tyre për të mos frikësuar 4-vjeçarin Yagiz Komsu ndërsa dilte nga rrënojat, sipas televizionit HaberTurk, i cili transmetoi shpëtim live.

Për ta shpërqendruar, atij iu dha një qese karamelesh. Ekipet më vonë shpëtuan nënën e tij 27-vjeçare, Ayfer Komsu, e cila kishte një brinjë të thyer.

Por furia e shpëtimeve dramatike nuk mund ta mbulonte shkatërrimin e përhapur në një rajon të gjerë kufitar që është vend i më shumë se 13.5 milionë njerëzve. Lagje të tëra shumëkatëshe janë kthyer në rrënoja dhe tërmeti ka vrarë tashmë më shumë njerëz sesa tërmeti dhe cunami i Fukushimës në Japoni, me shumë të vdekur të tjerë që ende nuk janë gjetur dhe numëruar.