Gjobitet Neuer, Bayerni nuk e fal kapitenin
Manuel Neuer ka qenë në qendër të vëmendjes në javët e fundit për krisjen që ka patur me Bayern Munchen. Sikur mos të mjaftonin deklaratat ndaj drejtuesve, portieri i Kombëtares gjermane ka marrë një gjobë të majme për shkak të dëmtimit të pësuar pas Kupës së Botës.
36-vjeçari dëmtoi gjurin duke bërë ski në ditët e para të dhjetorit, duke humbur pjesën e mbetur të sezonit. Sipas asaj që parashikon kontrata, lojtari pritet të ndëshkohet me një rrogë mujore gjobë.
Rroga sezonale e kapitenit të Bayernit është 20 milionë euro, çka do të thotë se 1.6 milionë euro është gjoba për shkak të dëmtimit. Mungesa e gjatë e portierit detyroi drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë të futeshin në merkato për të firmosur me Yann Sommer.
Zvicerani u bë pjesë e bavarezëve nga janari e menjëherë ka marrë vendin e titullarit. Neuer sulmoi ashpër drejtuesit pas largimit të trajnerit të portierëve Toni Tapalovic, një prej miqve më të mirë.