Miqësore dhe grumbullime, Kombëtaret e moshave & ajo e vajzave rikthehen në aksion

Muaji shkurt do të shohë në aksion një pjesë të madhe të ekipeve Kombëtare të moshave si dhe Kombëtaren e vajzave, që do të jenë të angazhuara në disa ndeshje miqësore ndërkombëtare dhe grumbullime në kuadër të përgatitjeve për turnetë apo impenjimet e ardhshme. Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF ka përgatitur ndërkohë kalendarin e detajuar për të gjitha ekipet Kombëtare të moshave, që përfshin ekipet U-15, U-16, U-17, U-19 dhe deri te Kombëtarja e vajzave.

E para që nis impenjimet në këtë fushatë 1-mujore është Kombëtarja U-17 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, që të dielën e 12 shkurtit do të startojë grumbullimin për dy miqësoret e programuara me Bosnje-Hercegovinën U-17. Siç është bërë e ditur Shqipëria U-17 do të zhvillojë këto dy teste me të parin që luhet më datë 15 shkurt në stadiumin “Niko Dovana”, duke filluar nga ora 15:00, ndërsa sfida e dytë do të zhvillohet më datën 17 shkurt në stadiumin “Air Albania” dhe nis në ora 11:30. Kombëtarja U-17, e përbërë nga lojtarët e vitlindjes 2006 e që do të jetë e grumbulluar për 6 ditë në Durrës, do të ketë mundësinë kështu të përgatitet sa më mirë për sfidat e marsit, ku do të jetë e impenjuar në ndeshjet e fazës Elite Round të Europianit të kësaj grup-moshe.