Riaktivizohen llogaritë e Donald Trump në Facebook dhe Instagram

Meta Platforms ka riaktivizuar llogaritë e Donald Trump në Facebook dhe Instagram.

Kështu ka thënë zëdhënësi i grupit, Andy Stone. 

Manjati u pezullua për një kohë të pacaktuar më shumë se dy vjet më parë pas sulmit në Capitol Hill më 6 janar 2021.

Muajin e kaluar, Nick Clegg, president i çështjeve globale në Meta, njoftoi se llogaritë e Trump do të riaktivizoheshin së shpejti, duke e quajtur mbajtjen e pezullimit si një dëm për fjalën e lirë.

Meta kishte njoftuar se llogaritë e Trump do të riaktivizoheshin me anë të një shënimi. 

"Publiku duhet të jetë në gjendje të dëgjojë atë që thonë politikanët, në mënyrë që ata të mund të bëjnë zgjedhje të informuara," thuhej në deklaratë. "Ne besojmë se rreziqet e sigurisë publike janë zhdukur," shpjegoi Clegg.

Në javët para njoftimit të Metës, avokatët e manjatit i kishin dërguar një kërkesë zyrtare Mark Zuckerberg -ut për të rehabilituar profilet e Trump. 

“Ne mendojmë se pezullimi i llogarisë ka shtrembëruar dhe kufizuar rrënjësisht debatin publik”, shkruan avokatët. Ish-presidenti tashmë ishte "rehabilituar" në Twitter pas marrjes së tij nga miliarderi Elon Musk.

Në tetor 2021, Trump kishte lançuar platformën e tij “Truth Social”. 

"Kam krijuar Truth Social për të luftuar tiraninë e Big Tech," tha ai në një deklaratë në atë kohë. 

Rrjeti social u krijua nga Trump Media & Technology Group si një alternativë ndaj Facebook dhe Twitter, nga të cilat Trump në fakt ishte hequr.