Klasikja Tirana-Vllaznia / Shehi pa 'xholin' në Shkodër, Josës i mungon Juriç
Këtë fundjavë, Abisnet Superiore kulmon me klasiken e futbollit shqiptar. Tirana-Vllaznia, në stadiumin “Loro Boriçi” do të shohë të përballen dy skuadrat më të vjetra të futbollit shqiptar dhe në total 35 tituj kampion. Mirëpo, në këtë përballje, të dy trajnerët, Orges Shehi dhe Mirel Josa nuk do ta nisin pa mungesa.
Për trajnerin e bardhebluve, një mungesë e sigurt është ajo e xholit të skuadrës. Albano Aleksi ka plotësuar numrin e kartonëve dhe është i pezulluar, ndaj nuk mund të jetë në dispozicion për këtë 90 minutësh. Një mungesë e rëndësishme për lojtarin që jo vetëm bën rolet e tij në mesfushë, para mbrojtjes apo kudo tjetër, shpesh është sakrifikuar edhe në prapavijë, sa herë që bardheblutë kanë pasur mungesa.
Në përballjen me shkodranët, Shehi pritet që ta zëvendësojë me Regi Lushkjan në rolin e titullit, i cili bashkë me Delin dhe Hilën, do të ndajnë mes tyre rolet në mesfushë.
Në kampin tjetër, fjala mungesë është bërë një refren shqetësues, prej të cilit skuadra e Josës duket se ka krijuar pavarësi.
Për sfidën ndaj Tiranës, Vllaznia duhet të bëjë pa Juriç e Bulatoviç, ndërsa Latifi duket se po rikthehet në formën e tij optimale. Për Bulatoviç, sinjalet janë të mira dhe gjasat janë që të mund të llogaritet, por vetëm në momentet e fundit dhe vetëm si alternativë në stol.
Sfidë me mungesa për të dyja ekipet, por pritet që spektakli dhe rivaliteti, të mos mungojë aspak në supersfidën e javës së 21-të.