Berisha me ish-ministren Haradinaj: Marrëveshja që e respekton Kushtetutën është interesi i Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pritur sot në një takim ish-ministren e Jashtme t Kosovës, Meliza Haradinaj.
Me një postim në Facebook, kreu i PD-së, shkruan se një marrëveshje e mirë, që e respekton Kushtetutën është interesi i Kosovës.
Reagimi i kreut të PD, Sali Berisha:
Një marrëveshje e mirë, që e respekton Kushtetutën është interesi i Kosovës.
Ky ishte dhe mesazhi kryesor që ndamë gjatë një takimi që zhvilluam sot me ish Ministren e Jashtme të Kosovës, Znj. Meliza Haradinaj.
Gjatë takimit shkëmbyem mendime mbi situatën që po kalon Kosova duke u ndalur në veçanti në planin Franko - Gjerman i cili duket sikur parashtron një zgjidhje të mirëpritur për Kosovën por edhe rajonin. Po ky plan duhet të parashikojë heqjen nga Kushtetuta e Serbisë të Preambulës ultranacionaliste që përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë.
Me Znj. Harajdinaj theksova se një Asosacion që përputhet me kushtetutën e Kosovës, domethënë që nuk njeh kompetenca ekzekutive komunave me shumicë serbe, mendoj se nuk duhet kundërshtuar. Sikundër një Asosacion që krijon struktura me fuqi ekzekutive është i rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën por për mbarë rajonin në të cilin minoritet janë të pranishme dhe më numerike se sa pakica serbe në Kosovë. Nuk duhet harruar kurrë se ‘baruti’ i fuçisë së rajonit tonë është ultranacionalizmi i verbër serb.
Në këtë kontekst theksuam se në çdo rast, Ballkani nuk mund t’i lejojë vetes kurrsesi një “Republika Srpsksa ” të dytë dhe se përballë spirales të ultranacionalizmit serb, faktori shqiptar duhet të jetë sa më i bashkuar. Një spirale ekspansioniste e cila filloi me dy projektet e dështuar tanimë, atë të ndryshimit të kufijve dhe me Ballkanin e Hapur, dhe që qartazi promotorët kryesorë ishin serbomadhi Vuçiç dhe vasali i tij në Tiranë Edi Rama jo që nuk përmirësuan por, përkeqësuan klimën në rajon.