'Mother Jones': Shqipëria shumë e korruptuar. Ai korrupsion depërtoi edhe në SHBA!

Edi Rama e kishte kthyer korrupsionin në sistem prej vitit 2013 kur erdhi në pushtet duke blerë zgjedhjet, abuzuar e vjedhur me koncesione, tendera dhe PPP ditën për diell e deri te shitja e vendeve të punës në administratë. 

Të gjithë këtë zinxhirë korruptiv institucionet shqiptare të drejtësisë nuk e kanë parë asnjëherë, edhe pse është aty çdo ditë në çdo dikaster, ministri, drejtori apo agjenci shtetërore. 

Mirëpo, erdhi momenti që korrupsioni shqiptar të tronditë edhe vendin lider sa i takon luftës kundër korrupsionit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, promotorët dhe financuesit e Reformës në Drejtësi, në Shqipëri. SHBA-të nuk kanë rast të dytë, të kësaj natyre, që të krahasojnë skandalin e Charles McGonigal, ish-zyrtari i kundërzbulimit të FBI-së, me kryeministrin shqiptar Edi Rama. 

Ky i fundit akuzohet me emër dhe mbiemër në aktakuzën e drejtësisë amerikane se ka zhvilluar takime me McGonigal, ndërsa dy njerëz pranë Ramës, Personi A dhe Personi B, respektivisht Agron Neza dhe Dorian Duçka i kanë paguar agjentit shumën e 225 mijë dollarëve, për punën e tij lobuese në SHBA, kundër opozitës dhe PD-së. 

Zbulimi i këtij skandali për FBI-në parashikohet të sjellë kosto jo të vogla pasi institucioni ku amerikanët kanë më shumë besim ra pre e korrupsionit të Ramës. 

Në artikullin e gjatë për këtë skandal, revista e famshme amerikane, "Mother Jones" e quan Shqipërinë vend shumë të korruptuar, duke e krahasuar edhe me Rusinë, ndërsa pranon se korrupsioni shqiptar arriti të depërtojë edhe në SHBA. 

"Shqipëria, ashtu si Rusia, është shumë e korruptuar, e rrënuar nga akuzat se shumë zyrtarë, duke përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë, janë të korruptuar. Sagat e bashkuara të Biniatta Trade dhe Charles McGonigal tregojnë se sa lehtë ai korrupsion depërtoi në Shtetet e Bashkuara", shkruan Mother Jones.

Në një kohë kur në Shqipëri SPAK-u fle gjumë, e në rastin më të keq vepron me komanda politike, të paktën SHBA-të nuk do ta kalojnë pa ndëshkuar ligjërisht korrupsionin Rama-McGonigal, sepse vetë amerikanët nuk mund të pajtohen me një zyrtar apo ish-zyrtar të bërë pis. 

Për amerikanët konstatimi se korrupsioni shqiptar tashmë është brenda tyre nuk kalon në heshtje dhe drejtësia atje ka prangosur Charles McGonigal, ndërsa emri i Edi Ramës, njeriu që eksportoi korrupsionin nga Shqipëria atje, përmendet plot 14 herë në aktakuzë. Hapat e radhës nuk janë të vështirë për t'u parashikuar... 

LEXO EDHE:

Edhe 'Mother Jones' shkruan për skandalin: McGonigal bëri favore për Ramën kundrejt pagesës

Skandali 'McGonigal'/ 'Mother Jones': Pse ishte kaq i shqetësuar Rama për lobimin e PD në SHBA