VIDEO-SYRI TV/ Raporti për 2022, situata me lirinë e medias në Shqipëri është kritike

Situata me lirinë e shtypit në Shqipëri për vitin 2022 paraqitet tejet problematike. Harta e Lirisë së Medias tregon se gazetarët janë përballur me dhunë fizike e verbale. Raporti i monitorimit sheh me shqetësim praktikën e përdorur nga kryeministri Rama për ‘riedukimin’ e gazetarëve, ndërsa nënvizon se rastet e dhunës së policisë ndaj gazetarëve janë të shumta, ndaj pluralizmi mediatik mbetet sfidues në Shqipëri.  

Nga SYRI TV

Harta e Lirisë së Medias për vitin 2022 e sheh kritike situatën me lirinë e shtypit në vendin tonë, ndërsa evidenton se kërcënimet më të rënda vijnë nga dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve.

Raporti i Monitorimit nënvizon tepër shqetësuese retorikën e Kryeministrit Rama ndaj gazetarëve dhe praktikën e ndjekur prej tij për të dërguar në ‘riedukim’ gazetarët që bënin pyetje kritike, duke sjellë rastet e gazetares së SYRI TV Ambrozia Meta dhe gazetarit të A2CNN Klevin Muka.

Në Shqipëri gazetarët përballen me kufizime për marrjen e informacionit nga burime qeveritare, dhe atyre që konsiderohen si përfaqësues të mediave ‘opozitare’ iu mohohet akreditimi, shkruhet në raport. Edhe gazetarët që mbuluan procesin e vettingut të Elizabeta Imerajt, vlerësohet se u përballën me kërcënime.

Veçanërisht shqetësues është numri i incidenteve të dhunës së policisë ndaj gazetarëve, që zë peshë 41% nga rastet e regjistruara në Hartë.

Raporti nxjerr në dukje edhe faktin se media të ndryshme online në Shqipëri u bënë viktima të sulmeve kibernetike në janar, ndërsa midis korrikut dhe shtatorit, serverët shtetërorë shqiptarë u vunë në shënjestër të sulmeve të shumta kibernetike, por Prokuroria e Tiranës ndaloi mediat të publikojnë informacione nga dosjet e hakuara.

Raporti arrin në konkluzionin se mjedisi për gazetari të pavarur apo pluralizëm mediatik mbetet sfidues në Shqipëri, dhe se ndryshimet e propozuara në ligjin për  Lirinë e Informacionit në tetor u kritikuan nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias.