VIDEO-SYRI TV/ Dosja e ‘Kutisë së Pandorës’, Brikena Frakulli drejtonte grupin e kokainës
Detaje të reja janë zbardhur nga anëtarët e grupit kriminal që u arrestuan në kuadër të operacionit ‘Kutia e Pandorës’. Dëshmitë e drejtueses së grupit të trafikut të kokainës, Brikena Frakulli rezultojnë kontradiktore, ndërsa në dosjen hetimore, zbardhet dinamika e hetimeve që zbuluan grupin.
Nga SYRI TV
Brikena Frakulli e cila u arrestua si drejtuese e një grupi kriminal i trafikut të drogave të forta në Tiranë, deklaroi në sallën e gjyqit se Artur Kristo, tjetër i arrestuar ishte punonjës në një fermë të saj.
Për më tepër, ajo justifikoi të tjerët nga përgjegjësitë, duke i marrë të gjitha mbi veten. Por ndryshe rezultojnë rolet nga të dhënat e dosjes hetimore, ku sipas organit të akuzës Artur Kristo është bashkëjetuesi i 40-vjeçares dhe se për të gjithë anëtarët ka prova përfshirë pamje filmike dhe përgjime që i implikojnë.
Policia vuri në ndjekje veprimet e Frakullit, përpara se ta vendoste në pranga, teksa nga banesa e saj në Baldushk ku jetonte me Kriston, ishte nisur në shoqërinë e Isabela Banushit, drejt kryeqytetit me çantën e drogës me vete.
Policia bën arrestimin e tyre në flagrancë, teksa paralelisht u krye kontrolli i banesës në Baldushk ku gjen shtetasin Artur Kristo, sasi të ndryshme droge, mjete të matjes dhe kamuflimit të saj si dhe shuma parash, që shkonin në rreth 87 000 euro. Ndryshe nga sa ia ngarkoi përgjegjësinë të gjithën vetës në sallën e gjyqit, në momentin e arrestimit Brikena Frakulli tha.
‘Jam e tronditur psikologjikisht për këtë gjë që ka ndodhur dhe për faktin që nuk e di ku e kam djalin tim të vogël katër vjeç. Jam e divorcuar dhe djali është në ngarkimin tim. Nuk dua të jap shpjegime në këtë fazë të hetimit’, është shprehur Brikena Frakulli, e cilësuar si koka e grupit që shiste heroinë.
Në dosje evidentohet fakti se Brikena braktiset nga i dashuri i saj Artur Kristo i cili deklaroi se nuk ka lidhje me sendet e gjetura në banesën ku jetonte me të dashurën e tij dhe se nuk kishte asnjë lloj dijenie për to.
Hortensa Biçaku pranon se vetë ishte përdoruese droge, por pretendon se nuk ka shitur ndonjëherë lëndë narkotike për llogari të Frakullit, teksa pranon njohjen me të. Grupi kriminal në përbërje të të cilit ishin Brikena Frakulli, Hortenca Biçaku, Klevi Banushi dhe Artur Kristo, përdornin emërtesa për sasitë e drogës të ndara në doza gati për shitje, si mbishkrimin ‘OLSI’, ‘7V’, ‘ASTIR’ apo mbishkrimin ‘10V’.