Bardh Spahia mirëpret idetë e studentëve të Ekonomikut për zhvillimin e Shkodrës
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, i ka hapur dyert të rinjve në këtë institucion për zhvillimin e praktikave, duke i garantuar se tek ai do të gjejnë gjithmonë një derë të hapur dhe mbështetje të pakursyer, pasi Shkodra ka nevojë për kontributin e tyre.
Spahia pati sot një takim me studentët e Fakultetit Ekonomik, degët Financë dhe Turizëm të universitetit “Luigj Gurakuqi”, të cilët po zhvillojnë praktikën në bashkinë e Shkodrës.
“Një bashkëbisedim i frytshëm, - vlerësoi Spahia, - ku mora këndvështrimin e tyre mbi punën e bashkisë Shkodër dhe idetë që ato kanë për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
Për mua rinia mbetet një aset i çmueshëm dhe prandaj prej ditës së parë në këtë detyrë jam munduar t’i jap maksimalisht hapësira, pasi energjia, vizioni dhe potenciali që rinia ka, është i jashtëzakonshëm. Tek unë do të gjejnë gjithmonë një derë të hapur dhe mbështetje të pakursyer, pasi Shkodra ka nevojë për këtë rini, për kontributin e saj, që të çojmë përpara projektet tona dhe t’i japim zhvillimin që meriton Bashkisë Shkodër. E si më mirë dhe më bukur sesa duke pasur në krah rininë, mund të realizohet e gjitha kjo!”