'Mjekja u godit me grushte nga familjarët e pacientit'/ QSUT: Dënojmë dhunën dhe kërkojmë mbështetje

Pas dhunimit me grushte të mjekes një ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, ka ardhur dhe reagimi i institucionit, duke kërkuar mbështetje në punën e bluzave të bardha.

Për ngjarjen në fjalë janë arrestuar Igli Spahija dhe Bledar Bali ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë tre të tjerë.

Ngjarja ndodhi në ambientet e spitalit, ku mjekja është goditur me grushte, dhe autorët kanë pretenduar për neglizhencë mjekësore ndaj një të afërmi të tyre që po mjekohej.

Reagimi i plotë:

Shërbimi Infektiv në QSUT “Nënë Tereza” është një ndër shërbimet pararojë që punon me përkushtim ndaj çdo pacienti.

Nisur nga rasti i dhunshëm ndodhur së fundmi ndaj koleges tonë, ne dënojmë dhunën ndaj bluzave të bardha dhe kërkojmë mbështetjen në punën tonë të çdo pacienti dhe familjari, në mënyrë që shërbimi të vijojë normalisht dhe në cilësinë e duhur.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të vijojë të mbështesë  maksimalisht stafet mjekësore në punën e tyre të palodhur duke garantuar sigurinë në vendin e tyre  të punës dhe mbrojtjen e dinjitetit profesional të mjekut në shoqëri.