Tërmet në Turqi: Shpresat për të mbijetuarit po 'shuhen' – 'Po djegim stola për t’u ngrohur'

Ekipet e shpëtimit në Turqi dhe Siri vazhdojnë sot mes të ftohtit të ashpër për të gjetur të mbijetuar në rrënoja, me shpresat duke u pakësuar tre ditë pasi tërmeti shkatërrues që goditi të dy vendet tashmë ka vrarë më shumë se 16,000 njerëz. 

72 orët e para janë kritike për gjetjen e të mbijetuarve, me më shumë se 90% të të mbijetuarve të vendosur brenda asaj kohe, vëren Ilan Kelman, një studiues i fatkeqësive në University College London (UCL).

Ndërsa operacionet vazhdojnë ditë e natë, rënia e temperaturës e bën jetën një makth për të mbijetuarit që nuk kanë ku të shkojnë. 

Në Gaziantep të Turqisë temperatura ka rënë në -5 gradë Celsius herët në mëngjes.

Palestra, xhamitë, shkollat ​​dhe dyqanet kanë mirëpritur të mbijetuarit, por shtretërit janë të paktë dhe mijëra kalojnë netët në makinat e tyre ose në strehimore të improvizuara.

"Fëmijët tanë janë ngrirë," u ankua Ahmed Hussein, një baba i pesë fëmijëve, i cili u detyrua të ngrinte një strehë pranë shtëpisë së tij të dëmtuar në Gaziantep, një qytet pranë epiqendrës së tërmetit 7.8 ballë.

“Po djegim stola”

“Duhej të digjnim stolat e parkut dhe disa nga rrobat e fëmijëve. Nuk kishte asgjë tjetër”, shton ai. “Të paktën të na kishin dhënë çadra” , thekson ai duke iu referuar autoriteteve turke.

Gjatë vizitës së tij në rajon, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të mërkurën pranoi se ishin bërë disa gabime në menaxhimin e katastrofës, ndërsa kritikat u shtuan.

 “Sigurisht që ka pasur boshllëqe, është e pamundur të përgatitemi për një fatkeqësi të tillë” , vlerësoi ai.

Që nga e hëna, policia turke ka arrestuar rreth një duzinë njerëz për postimet në mediat sociale që kritikojnë trajtimin e katastrofës nga qeveria.

Të paktën 3,356 njerëz u vranë në provincën Hatay, pak më shumë se një e treta e 12,873 vdekjeve të regjistruara deri më tani në Turqi. 

Ky është numri më i keq i regjistruar në vend që nga tërmeti i vitit 1999, kur një tërmet me magnitudë 7.4 vrau 17,000 njerëz, duke përfshirë rreth 1,000 në Stamboll.