VIDEO/ Mbante kafkën si trofe/ Kush e ekzekutoi mercenarin famëkeq rus

Ekzekutimi i një mercenari famëkeq rus po bën xhiron e medieve botërore. Sipas disa raportimeve paraprake, ai mund të jetë vrarë nga çeçenët e Ramzan Kadyrov. Nëse krimi është kryer nga çeçenët, rasti do mbyllet. Tek e fundit, nipi i Kadyrov përdhunoi një gazetare pro-ruse para disa kohësh, por ndaj tij nuk pati hetim. Por përse është kaq e rëndësishme kjo vrasje?

Nga Paul Kirby, BBC

Kapiteni famëkeq i ushtrisë ruse dhe mercenari Igor Mangushev ka vdekur në spital, disa ditë pasi u qëllua në kokë nga një distancë e vogël në Ukrainën e pushtuar, kanë thënë miqtë e tij.

Gruaja e Mangushev, Tatyana e përshkroi vrasjen si një ekzekutim.

Ai komandonte një njësi anti-dronësh në Luhanskun e pushtuar, por gjithashtu kishte qenë një nga themeluesit e një grupi mercenar që luftonte forcat ukrainase në vitin 2014.

Në një video të postuar në mediat sociale në gusht, Mangushev u filmua duke thënë se kafka që mbante në dorë i përkiste një luftëtari ukrainas të vrarë duke mbrojtur fabrikën e çelikut Azovstal në portin jugor të Mariupolit.

Një nacionalist ekstremist, Mangushev tha se Rusia nuk ishte në luftë me njerëzit, por me idenë e Ukrainës si një shtet anti-rus, dhe nuk kishte rëndësi se sa ukrainas do të vdisnin.

Mangushev doli nga një lëvizje neo-naziste për të bashkëthemeluar grupin privat mercenar Yenot (rakuni).

Më vonë ai u bë i njohur pasi bashkëpunoi me shefin mercenar më famëkeq të Rusisë, Yevgeny Prigozhin, një strateg politik.

Të shtënat kanë nxitur spekulime të gjera se kush mund ta ketë kryer sulmin në një pikë kontrolli në qytetin e pushtuar ukrainas të Kadivkas, jo shumë larg vijës së frontit.

Raportimet ruse thonë se ai është qëlluar nga një distancë e afërt me një plumb 9 mm të shkrepur në majë të kokës në një kënd prej 45 gradë. Autoritetet ruse po hetojnë vrasjen dhe deri më tani nuk kanë thënë asgjë për rrethanat.

Thuhet se plumbi kishte depërtuar në trurin e tij. Para se të vdiste, fotot e tregonin atë të shtrirë në një shtrat spitali.

Një tjetër nacionalist ekstrem rus, Pavel Gubarev tha se të gjithë e dinë se kush qëndron pas të shtënave dhe vuri në dukje se Prigozhin për momentin ka heshtur.

Lufta 11-mujore në Ukrainë ka energjizuar botën e errët të ekstremistëve në Rusi dhe ka ndezur rivalitete mes tyre.

Pas sulmit, eksperti i Rusisë, Mark Galeotti, tha se kjo demonstron se Rusia po rrëshqet drejt disa aspekteve të viteve ’90, ‘kur vrasja ishte një taktikë biznesi dhe linjat mes politikës, biznesit, krimit dhe luftës u bënë gati të pakuptimta’.