SYRI TV/ Lista e 'aktivistëve' të suksesshëm në veting, gjyqtarët e prokurorët shkelin ligjin

Njerëzit e drejtësisë, që janë në listën e aplikacionit “Aktiv1sti” e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut. Nga një vëzhgim i bërë rezulton se nga lista me 26 emra që janë në institucionet e drejtësisë, 8 prej tyre e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut, 9 të tjerë janë në pritje të procesit, një është dorëhequr dhe 8 janë shkarkuar dhe janë në pritje të procedurave në shkallën e dytë të procesit të rivlerësimit

Nga SYRI TV

Pjesa më e madhe e “Aktivistëve” të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut ose janë në pritje të përballjes me strukturat e rivlerësimit.

“Syri Televizion” ka identifikuar emrat e të paktën 26 gjyqtarëve dhe prokurorëve që gjenden në listën e personave që kanë marrë përsipër të propagandojnë arritjet qeveritare në rrjetet sociale, nëpërmjet platformës “Aktiv1sti”.

Në këtë listë bëjnë pjesë personazhe që qëndrojnë në krye të sistemit të drejtësisë, përfshirë Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Gjykatën e Posaçme, Këshillin e Lartë Gjyqësor e Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si edhe gjyqtarë e prokurorë të niveleve të ndryshme.

Nga lista me 26 emra të identifikuar nga radhët e sistemit të drejtësisë, 8 prej tyre e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut, 9 të tjerë janë në pritje të procesit, një është dorëhequr dhe 8 janë shkarkuar dhe janë në pritje të procedurave në shkallën e dytë të procesit të rivlerësimit.

Në listën e zyrtarë të drejtësisë që kanë dalë të pastër nga vetingu, përfshihen edhe: anëtarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Ina Rama, komisionerja e Rivlerësimit, Xhensila Pine si edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, procedurat e të cilëve janë ndjekur nga Parlamenti.

Në listën e aktivistëve të Drejtësisë së Re, të konfirmuar nga detyra janë: drejtuesja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, anëtari i KLP-së, prokuror Bujar Sheshi si edhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Ilir Toska.

Përfshirja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një aplikacion me nuanca të theksuara politike dhe partiake përbën ndër të tjera, edhe një shkelje flagrante ligjore.

Në nenin 6 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i miratuar në kuadër të Reformës në Drejtësi, parashikohet se “funksioni i magjistratit është i papajtueshëm me  kryerjen e çdo veprimtarie politike, pavarësisht nëse veprimtaria kryhet në bashkëpunim me ndonjë parti politike ose jo, që mund të ndikojë në pavarësinë e magjistratit, të krijojë ndonjë konflikt interesi ose, në çdo rast, të krijojë përshtypjen që magjistrati është i paanshëm dhe i pandikuar”.

Aplikacioni “Aktiv1sti” është një platformë elektronike, krijuar dhe në shërbim të plotë të qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Anëtarët e këtij aplikacioni janë të detyruar që të ndjekin, të shprehin pëlqime dhe të shpërndajnë në rrjete sociale mesazhet propagandistike të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave e qeveritarëve të tjerë.

Përfshirja e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në një platformë politike është një dëshmi më shumë se gjyqësori i ri shqiptar funksionon si një shtojcë e partisë në pushtet.