Aksidentoi për vdekje të moshuarën te vijat e bardha/ Shoferi ishte i droguar
Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi pasditen e djeshme në bulevardin Zhan D’Ark të Tiranës.
23-vjeçari Marjol Aliko, teksa drejtonte makinën e tij, ka përplasur një grua, e cila fillimisht u dërgua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në spital.
Viktima quhet Dituri Koprencka dhe mendohet të jetë rreth 75 vjeç, njofton gazetarja e Syri TV Bleona Sari.
Bëhet me dije se viktima ka qenë duke kaluar në vijat e bardha ndërsa autori i ngjarjes, Marjol Aliko është futur me semafor të kuq dhe ka përplasur viktimën.
Pas përplasjes, autori i ngjarjes është larguar nga vendi ngjarjes.
Vetëm pak orë pas ngjarjes policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e ngjarjes. Ai ishte i droguar.
NJOFTIMI ZYRTAR
Arrestohet drejtuesi i automjetit që aksidentoi një 75-vjeçare, e cila për shkak të dëmtimeve, ndërroi jetë në spital, ditën e djeshme.
Pas testimit me aparatin AquilaScan, drejtuesi i automjetit ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M. A., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi ditën e djeshme, rreth orës 16:00, duke drejtuar automjetin, në bulevardin “Zhan D’Ark”, ka aksidentuar shtetasen D. K., 75 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila më pas ka ndërruar jetë, në spital.
Pas testimit me aparatin AquilaScan, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi M. A., ishte nën efektin e lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.