Alda Klosi lihet në qeli deri në fund të hetimeve, avokati: Pastruesja ka dhënë dëshmi kontradiktore

Alda Klosi, ish-drejtoreshë e koncesioneve, ish-këshilltare e ministrit të Shtetit për Rindërtimin në vitin 2020 si dhe ishdrejtoreshë e kabinetit të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, u la nga Gjykata në arrest me burg.

E dyshuara për tri vepra penale, të pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë mbahet në spital, prej nga ku ajo dha pëlqimin që seanca të kryhej në mungesë të saj në sallat e gjykatës. E ekspozuar nga rrëfimi i Rozeta Dobit, të cilën e denoncoi se i kishte vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, Klosi vazhdon të këmbëngulë përmes avokatit se pastruesja është e pabesueshme. Por prokuroria dyshon se paratë janë të pajustifikuara dhe për këtë është bindur nga kontradiktat midis deklaratave të ish zyrtares Klosi dhe të vëllait të saj, që tha se i kishte marrë hua për të kuruar xhaxhait.

Reagimi i avokatit të Klosit

Mbrojtësi ligjor i ish-zyrtares Alda Klosi kundërshton masën e dhënë ndaj klientes së tij. Në një prononcim për mediat në përfundim të procesit, avokati Ilirjan Muho u shpreh se dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi të cilën sot Prokuroria po e përdor si ‘thembrën e Akilit’, është ndryshuar disa herë prej saj. Sipas tij Rozeta Dobi po synon të lehtësojë pozitën e djalit të saj në këtë vepër penale. “Sa herë është pyetur ka dhënë version të ri. Në fillim se ka pranuar më pas e ka pranuar se e ka kryer bashkë me djalin. Është një gënjeshtër, deklarim i pavërtetë.

Ka disa pyetje që u bënë në seancë dhe presim zbardhjen e vendimit. Si është e mundur që pasaporta që i është dhënë për ta ruajtur është hapur dhe hedhur në kazan. Është një deklaratë që bie në kundërshtim me djalin e saj. Ka një pyetje me rëndësi, nëse do ishte e vërtetë se mes Aldës e Rozetës do kishte marrëveshje si është e mundur që janë gjetur edhe sende të vjedhura në banesa të tjera? Pra, janë deklarime që kemi të bëjmë me një personazh që ka një qëllim të caktuar. Të lehtësojë pozitiven e saj, se është e zënë me presh në dorë, dhe të përfitojë një pozitë më të lehtësuar”, u shpreh ai.

Ndër të tjera avokati mbrojtës i ish-zyrtares Alda Klosi, sqaroi edhe origjinën sipas tij të eurove të gjetura në shtëpinë e Alda Klosit. “Në hetimet e deritanishme nga vëllai i saj dhe Alda është paraqitur një kontratë huadhënie, me një person që kryen aktivitet të ligjshëm. Për nevoja të kurimit të xhaxhait të saj. Është parë mundësia për ta dërguar në SHBA, vuante me tumor. Për shkak se nuk është i siguruar atje, shpenzimet mbuloheshin nga familja. Është larguar më 3 dhjetor në Amerikë, paratë iu kthyen Aldës, që të çohen në Amerikë me bankë.

Pamë deklaratën që Alda ka dhënë, është e përciptë. Kemi debatuar gjatë me oficerin e Policisë Gjyqësore. Ajo i ka thënë më kanë humbur 120 mijë. Nuk është pyetur Alda Klosi për detaje. Ka një kontradiktë mes saj e të vëllait, fakt që nuk është i vërtetë. Alda është pyetur se çfarë i ka humbur dhe ajo ka thënë se lekët janë për xhaxhanë, pasi ai kishte nevojë për t’u kuruar në Amerikë”, tha ai ndërsa shtoi se organi i akuzës po përdor si ‘thembrën e Akilit’ deklaratën e pastrueses Rozeta Dobi, deklaratë që sipas tij, ajo mund të ndryshojë sërish për të lehtësuar pozitat e djalit të saj, gjithashtu i arrestuar.

Prokuroria e Tiranës: Është nën hetim për tri vepra penale

Prokuroria e Tiranës njoftoi rreth 10 orë pas prangosjes se Alda Klosi e arrestuar mbrëmjen e një dite më parë është nën hetim për tri vepra penale. Ajo akuzohet për veprat “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Ish-drejtoresha e koncesioneve, Alda Klosi në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj, është arrestuar mbrëmjen e së premtes, datë 3 shkurt, pas një dëshmie të gjatë në polici të ish-pastrueses së saj, Rozeta Dobi. Ajo është marrë në pyetje një ditë më parë për më shumë se 7 orë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit. Ajo ka rrëfyer se Klosi kishte tetë shtëpi, dy në Shëngjin, një në Sarandë dhe pesë në kryeqytet. Në disa prej tyre ajo kishte takuar edhe njerëz të panjohur.

Burime nga grupi hetimor thonë se ajo ka rrëfyer se ka parë kuti me para në shtëpinë e Klosit dhe se ajo e kishte pyetur se çfarë duhej të bënte me to dhe i kishte kërkuar ndihmë pastrueses se si duhej t’i fshihte. Procedim penal është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në “Rrugën e Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases A.K. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit R. D. dhe H. D., ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Dëshmia e Rozeta Dobit

Edhe pse avokati mbrojtës i hodhi poshtë deklaratat e Rozeta Dobit, ajo pak ditë më parë i ka treguar Policisë gjithçka në lidhje me sasinë prej qindra mijëra eurove që u gjetën në shtëpinë e saj. Në rrëfimin e saj që daton që në momentin kur ka nisur punë tek Alda Klosi, ai tregon se aty ka para të shumta, madje edhe llojet e parave që kanë qenë. Kështu historia e parave kesh në shtëpinë e Alda Klosit, vijon në 2021 dhe 2022 sipas Rezeta Dobit. Sipas saj, paratë vinin nga njerëz që nuk i njihte.

“Nuk i numërova, por ishin shumë para. I mora ato dhe i vendosa në sirtarin e komodinës që ndodhej në krevatin ku flinte Alda. Më pas e mora atë në telefon, ku i tregova edhe vendin se ku i kisha futur, ku ajo më falënderoj për veprimin. Kam gjetur në dollape shumë të mëdha me euro, që nuk e di prejardhjen dhe nuk e di se kush i kishte sjellë, apo ku i çonte Alda këto para. Këtë konstatim e kam bërë në vitin 2021, ndërsa kutitë me euro kanë qëndruar aty deri në fund të vitit 2022.

Pranova ta kryeja këtë veprim pasi kisha vite që punoja me të. Alda më tregoi se kasafortën e kishte futur te dollapet. Shkova atje e mora kasafortën e futa në një çantë dhe e dërgova në shtëpinë time tek “Unaza e Re”. Më shoqëroi djali, por ai nuk dinte gjë, veprimet i kam kryer e vetme. Shkova në banesë, e kasafortën e futa në dollap. Nuk kisha dijeni për shumën e parave. Të nesërmen thashë t’i sistemoja paratë, ku shumën të madhe të tyre i futa në tubin e aspirimit”, ka thënë Rozeta Dobi.