Thirrje e Partisë Demokratike Vlorë: Të bashkohemi më 11 shkurt si një korpus i madh qëndrese!
Partia Demokratike në Vlorë u ka bërë thirrje qytetarëve sot të bashkohen më 11 shkurt në Tiranë, në protestën ku e gjithë Shqipërisë do të jetë më këmbë kundër klikës autokrate dhe të zhytur në llumin e korrupsionit. Rezenbrik Serjani, Sekretari për Transparencën pranë kësaj dege të PD, renditi sot arsyet pse qytetarët e Vlorës dhe më gjërë duhet të ngrihen kundër kësaj qeverie.
“11 shkurti na thërret – tha Serjani, - Vlora dhe Shqipëria do të jenë në këmbë si përgjigja më e fortë kundër klikës autokrate të zhytur në zullumin e korrupsionit.
Këto 10 vjet, këtë dekadë, si pasojë e korrupsionit të frikshëm qeveritar, Shqipëria ka thyer rekordet më të zeza të renditjes së saj në indekset e transparencës,llogaridhënies qeveritare, luftës ndaj korrupsionit dhe indekse të tjera ekonomiko, financiare e sociale.
Varfëria ka hyrë në çdo qelizë të qindramijëra familjeve shqiptare nga veriu në jug, si pasojë e drejtpërdrejtë e akteve e politikave antikombëtare të direktuara nga sekti në krye të qeverisjes, nga sekti Rama.
Korrupsioni i shkaktuar nga keqqeverisja e dekadës së fundit është bërë më shumë se sa i frikshëm e monstruoz, ku çdo ditë që kalon ai zmadhohet e zmadhohet.
Skandali i ditëve të fundit, ku kreu i korrupsionit qeveritar është kthyer në lajm dite për mbarë arenën ndërkombetare, është prova më e madhe e dalë në histori, si vërtetimi më i pakundërshtueshëm i korrupsionit të një kryeministri.
Rekordmeni i skandaleve, kreu i sektit Rama dhe çakejtë e tij të korrupsionit, duan çdo ditë që opozita mos të ekzistojë, qëndrestarët, misionarët e demokratët të largohen, duke e lënë të qetë në trashjen e zullumeve.
11 shkurti, në një bashkim të madh vlonjatësh, të rinjsh e të rejash, demokratësh e qëndrestarësh, do të mbrojë Shqipërinë e rrezikuar, familje e kombin. Të bashkohemi më 11 shkurt si një korpus i madh qëndrese!”përfundoi Sekretari për Transparencën i degës së PD në Vlorë.