Plani evropian - Opozita 'ngjallet', deputetët e VV-së në 'heshtje'

Nuk kanë kaluar as njëzet e katër orë që kur kryeministri Kurti pranoi planin franko-gjerman. Kjo gjë ka “ndezur” Kosovën, Albin Kurti tashmë po ballafaqohet me pyetjen nëse marrëveshja përfshin njohjen reciproke?

Nga opozita ka pasur reagime, duke kritikuar qeverinë për mostransparencë rreth këtij propozimi, por në anën tjetër askush nuk po flet nëse e pranojnë këtë plan apo jo.

Ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, reagoi pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se e ka pranuar propozimin franko-gjerman.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi tha se Kurti e pranoi këtë propozim pa treguar asnjëherë për qytetarët se çfarë përmban ai propozim. 

Ai ka shtuar se PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presin nga marrëveshja potenciale me Serbinë. – Por në asnjë momente nuk foli nëse e pranojnë këtë propozim.

 ”Ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë. Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë? Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”, shkruan Krasniqi.

Gjithashtu, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj  përmes një shkrimi në Facebook thotë se, plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni.

Sipas Molliqajt, Kurti pranoi edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Kurti e ka pranuar planin franko-gjerman, siç e ka pranuar edhe Asociacionin. Shih ti, mbi planin franko-gjerman i paska edhe ca “pyetje” shtesë. Kështu janë edhe “kushtet” e tij për Asociacionin. Plani franko-gjerman, përveç që nuk ka njohje reciproke, dhe as njohje të 5 vendeve të BE-së, parasheh nivel më të lartë autonomie se sa vetë Asociacioni. Prandaj, PO-ja e këtij plani, është PO edhe për Asociacionin”, shkruan ai.

Në anën tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ende nuk ka folur në lidhje me këtë temë. Ai sot është marrë me dështimet e qeverisë Kurti, ku përmes një videoje ia ka renditur mossukseset duke e quajtur qeveri arrogante e të paaftë.

Syri Kosova ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga AAK në lidhje me zbutjen e Kurtit dhe pranimin e këtij plani, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.

Syri Kosova ka kontaktuar edhe disa nga deputetët e mazhorancës për të parë nëse janë të pajtimit që të arrihet marrëveshja me Serbinë përmes këtij plani, pa pasur në qendër njohjen reciproke, por as këta nuk janë përgjigjur.

E për mosreagimin e opozitës po befasohet edhe ish kryenegocatorja Edita Tahiri.

Ajo ka thënë interesi kombëtar është në rrezik nga anashkalimi i opozitës nga ana e Kurtit.

“Një opozite e anashkaluar nga kryeministri i Kosovës duke pranuar planin pa njohje reciproke me Serbinë! po me intereson si do te jete reagimi i opozitës? Interesi kombëtar dhe shtetëror është ne rrezik”, përfundon reagimin e saj Tahiri.

  • Plani franko-gjerman ndahet në 9 pika si më poshtë (ky sipas disa raportimeve, nuk është version zyrtar):

1.Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.

2.Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE.

3.Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit/kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.

4.Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

5.Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

6.Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit. mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.

7.Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse.

8.Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

9.Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.