VIDEO-SYRI TV/ Heshtja e Yuri Kim për skandalin McGonigal, ambasadorja refuzon të përgjigjet
Ambasdorja e SHBA, Yuri Kim refuzon të flasë mbi skandalin McGonigal-Rama që ka tronditur opinionin shqiptar por edhe atë amerikan, duke gjetur hapësirë në mediat më të rëndësishme amerikane. Syri Tv i ka dërguar dy e-maile ambasadores me pyetjet, nëse ka pasur dijeni për këto takime, por ambasadorja ka zgjedhur të heshtë. E njëjta strategji është përdorur prej ambasadores Kim edhe kur u pyet nga gazetarët teksa dilte nga Gjykata Kushtetuese. Por edhe për pyetjet e adresuara nga gazetarët dhe mediat e tjera.
Syri Tv
Në një kohë që mediat më të rëndësishme të globit, përfshi edhe ato amerikane shkruajnë çdo ditë për skandalin McGonigal dhe lidhjet e tij sekrete me kryeministrin shqiptar Edi Rama, e vetmja qe nuk ka reaguar për këtë skandal është ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim. Qytetarët shqiptarë janë mësuar të shohin ambasadoren të reagojë për çdo zhvillim të brendshëm në vendin tonë, për çdo arrestim apo hetim nga drejtësia shqiptare, por për rastin McGonigal, ambasadorja ka zgjedhur të heshtë, qoftë edhe për inkurajim pozitiv, siç i cilëson vizitat dhe takimet në institucionet e drejtësisë shqiptare. Syri Televizion ka kërkuar të paktën dy herë zyrtarisht një reagim të ambasadores Kim për këtë skandal.
Në datë 30 janar, Syri TV i ka adresuar zyrtarisht nëpërmjet e-mailit, ambasadores Kim 6 pyetje, që lidhen me këtë çështje, nëse ka patur dijeni mbi takimet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama si dhe nëse ndërhyrja në FBI për të hetuar opozitën shihet si akt korruptiv e cenim i demokracisë në Shqipëri.
Në mungesë të një përgjigje të 6 pyetjeve të Syri TV, e-maili i është ridërguar për kujtesë ambasadores Kim, në datën 2 shkurt, por sërish edhe sot të dy e-mailet mbeten pa përgjigje.
Gazetarja Ambrozia Meta ka tentuar që t'i marrë një përgjigje ambasadores teksa ajo dilte nga institucioni suprem i drejtësisë shqiptare, Gjykata Kushtetuese, por edhe këtë herë pa përgjigje.
E ndërkohë që vizitat dhe deklaratat e ambasadores Yuri Kim në drejtësinë shqiptare cilësohen normalitet, duket se e njëjta gjë nuk ndodh kur në mes është drejtësia e Shteteve të Bashkuara. Edhe gazetarë të tjerë kanë kërkuar një reagim nga ambasadorja Kim për këtë çështje, ku një ndër ta është gazetari Andi Bushati, i cili deklaroi gjatë një emisioni në Euronews se nga ambasadorja Yuri Kim ka kërkuar vetëm një konfirmim nëse ka pasur prezencë të ambasadës në këto takime.