SYRI TV/ Siguria kibernetike, ambasadoret e SHBA dhe të BE: Sulmet nga Iriani do të vazhdojnë

Përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, u mblodhën së bashku me ministra të qeverisë për të diskutuar  rreth  sigurisë kibernetike, pas  sulmeve të muajit korrik. Ambasadorja amerikane  Yuri Kim, deklaroi se sulmet kibernetike nga Irani do të vazhdojnë,  ndërsa Ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, kërkoi  nga AKSHI dhe Policia e Shtetit të forcojnë kapacitetet e tyre teknologjike.

Nga SYRI TV

Siguria kibernetike, pas sulmeve të muajit korrik në serverët shtetërorë, mblodhi në një panel,  ministra të qeverisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.  Ambasadorja amerikane Yuri Kim  paralajmëroi se sulmet kibernetike nga Irani  do të vazhdojnë,  ndërsa  theksoi se SHBA do të vazhdojë të japë mbështetje për të forcuar mbrojtjen përballë sulmeve të tilla.

Yuri Kim: “Duke filluar nga muaji korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar vazhdimisht, pa ndërprerje, ekspertët më të mirë për të punuar me shqiptarët, për të analizuar, për të identifikuar dobësitë e mundshme dhe për të marrë masat.  Ju nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik. Ne duhet të identifikojmë mbrojtjen tonë kolektive.  50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe ky është vetëm fillimi. Sulmet nga Irani dhe të tjerë do të vazhdojnë të jenë kërcënim edhe në të ardhmen, nuk do të zhduken. Ne duhet ta kemi parasysh këtë. Nuk ka një “plumb magjik” për ta zhdukur.

Edhe ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Christiane Hohmann premtoi mbështetje të vazhdueshme nga BE për mbrojtjen kibernetike, por kërkoi nga AKSHI dhe Policia e Shtetit të forcojnë kapacitetet e tyre. 

Christiane Hohmann: “Nuk duam të japim zgjidhje të momentit por afatgjatë. Ndihma jonë për përkrahjen e dixhitalizimit shkon në shifrën e 15 milionë eurove në vitet e ardhshme. AKSHI duhet të përmirësojë kapacitete e veta, duhet të përmirësojë rolet e veta për mbikqyrjen e fushës kompjuterike. E njëjta gjë vlen dhe për Policinë e Shtetit. Ndërtimi i kapaciteteve të nevojshme teknologjike është shumë i rëndësishëm për të gjitha këto sektorë.”

Në aktivitet ishte parashikuar të merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, por shefi i qeverisë, në momentin e  fundit, e anuloi pjesëmarrjen, pavarësisht se në agjendë nuk kishte një takim të planifikuar apo aktivitet tjetër.