KAFE SHQETO/ Inxhinieri: Shembja e ndërtesave, faj i shtetit 100%! Sa ligje bëri Shqipëria pas tërmetit?!

Një pyetje ka goditur më fort në këto kohë tërmetesh: Pse u shembën aq lehtë qindra ndërtesat në Turqi nga tërmeti, siç u shembën edhe në Shqipëri katër vjet më parë, duke marrë jetë njerëzish?

Inxhinieri strukturalist Mentor Llunji nga Mali i Zi deklaron hapur se nuk është faji vetëm i projektuesve apo i ndërtuesve, por është 100% faji i shtetit, i cili duhet të ketë strategji për sigurinë sizmike. Inxh. Llunji solli shembullin e tragjedisë së tërmetit në Shqipëri dhe ngriti një pyetje jo pa qëllim: Katër vjet pas tërmetit, sa ligje të reja për cilësinë e godinave ka bërë shteti shqiptar?!

Mentor Llunji është autori i librit “Arkitektura sizmike”- librit të parë në gjuhën shqipe që i ofron arkitektëve, idenë mbi projektimin kundër tërmeteve dhe që është botuar në disa gjuhë të botës. Ai ishte i ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV për të dhënë gjykimin e tij si profesionist mbi çështjen e pasigurisë së godinave.  

Flavio e pyeti inxhinierin në fillim se çfarë ndjesie po përjeton duke parë pamjet që po transmetohen nga Turqia dhe Siria.

Inxh. Llunji tha: Me thënë të drejtën, një përzierje e trishtë e kujtimit të skenave të 2019-ës nga Durrësi edhe një keqardhje se si shtetet janë kaq të papërgjegjshme që të lejojnë kësi ndërtimesh që marrin kaq shumë lehtë, jetët e njerëzve. Është një ndjenjë e përzier.

Flavio: Ku e bazoni këtë që thoni,“kaq lehtë”?

Inxh. Llunji: Po, kaq lehtë sepse shumica e këtyre objekteve që janë rrëzuar jo vetëm këtu (në Turqi), por edhe në Durrës, kanë qenë për shkak të gabimeve dhe lëshimeve banale sa i përket ndërtimit. Jo vetëm korrupsion; është përzier gjithçka. Është padija njëherë, mos informimi i duhur për projektimin sizmik; aty përzihet korrupsioni, pastaj shtohen kërkesat e paarsyeshme të klientëve, shto edhe mungesën e kontrollit nga shteti dhe bëhet një çorbë që prodhon kësi katastrofash. E gjithë kjo mund të parandalohet shumë thjesht.

Flavio: Për shembull?

Inxh. Llunji: Pra, nuk është faji këtu vetëm i projektuesve apo i ndërtuesve, është faji i shtetit. 100%! Pyetja është a e ka shteti, axhendën, për sigurinë sizmike a ajo?! Aty është krejt çështja. Le të marrim Durrësin. Ka ndodhur në 2019-ën dhe sot jemi në 2023-ishin. Pra, kanë kaluar 4 vite dhe vjen pyetja: cilat janë ato ligje që ka prurë shteti shqiptar që ajo të mos përsëritet?!! Ju i dini shumë mirë, se unë jam nga Mali i Zi dhe nuk jam shumë i informuar për ligjet tuaja aty, mirëpo...

Flavio: Nuk ka pasur ligje të reja z. Llugji.

Inxh. Llunji: Nuk besoj se ka pasur një ndërrim drastik që të parandalohet ajo që ka ndodhur në Durrës. Unë po ju jap dhe një shembull tjetër, se nëse sot projekton në Tiranë të themi, ti mund të projektosh ndërtesë të njëjtë dhe në Prishtinë; ti mund të projektosh një ndërtesë prej 20-katesh dhe atë projekt të mos e kontrollojë askush! Kjo është një nga arsyet e moskontrollit dhe të mungesës së kualitetit. /ar.sh/SYRI.NET