Akuza si ndaj Ramës/ A e rrezikon tërmeti fitoren e Erdogan në zgjedhje?
Tërmeti vrastar në Turqi dhe Siri u ka marrë jetën më shumë se 5 mijë personave deri më tani, ndërsa bilanci rritet me shpejtësi.
Por ndërsa duket ende herët për të bërë konstatime politike, disa media ndërkombëtare kanë nisur të bëjën llogaritë nëse kjo tragjedi do ketë ndikim në zgjedhjet e 14 majit në Turqi.
Gazeta me ndikim zvicerane, TagesAnzeiger shkruan se shumë shpejt Erdogan do të duhet të japë llogari. Gazeta e vë theksin sidomos te çështja e ndërtimeve pa cilësi.
“Një tërmet është një goditje fati, por numri i lartë i viktimave nuk ka pse të jetë,” shkruan gazeta.
Kurse revista gjermane Stern shkruan se tërmeti mund të kthehet në një makth për Erdogan. Sipas saj, tërmeti është i rrezikshëm politikisht për presidentin turk.
“Nëse Erdogan nuk e vendos shpejt situatën nën kontroll, kjo mund t’i kushtojë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme,” shkruan revista.
Shumë media flasin për korrupsionin me lejet e ndërtimit, kontrollin e dobët mbi ndërtimet dhe te ekipet e paafta të emergjencave. Këto akuza ngjajnë të gjitha me akuzat që i adresuan kryeministrit Edi Rama gjatë tërmetit vrastar të nëntorit të vitit 2019.
“Erdogan kërkon të perceptohet tani si një menaxher praktik i krizave. Ai nuk mund të lejojë që të rrëshqasë si në verën e vitit 2021, kur qeveria e tij u duk e papajisur për të trajtuar rastet e zjarreve më të këqija në historinë e Turqisë dhe fillimisht refuzoi edhe ofertat për ndihmë ndërkombëtare,” shkruan portali i njohur, GZero.
Zgjedhjet e 14 majit në Turqi mund të përbëjnë sfidën më të madhe ndaj Erdogan që kur erdhi në pushtet 20 vite me parë. Sondazhet thonë se rezultati është shumë i ngushtë për të deklaruar një fitues.