OBSH: deri në 23 milionë njerëz të prekur nga tërmeti

Deri në 23 milionë njerëz mund të preken nga tërmeti masiv që ka vrarë mijëra në Turqi dhe Siri, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

 “Hartat e përgjithshme të ngjarjes tregojnë se potencialisht 23 milionë njerëz janë të ekspozuar, duke përfshirë rreth pesë milionë njerëz të cenueshëm”, tha menaxheri i urgjencave të OBSH-së, Adelheid Marschang, komitetit ekzekutiv të agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara. 

Më shumë se 8,000 njerëz u shpëtuan në Turqi pas tërmetit që goditi juglindjen e vendit, edhe pse gjatë natës pati 312 pasgoditje dhe aktiviteti sizmik në zonë mbetet i lartë. 

Kështu ka deklaruar nënkryetari turk Fuat Oktay, siç raporton televizioni shtetëror Trt.