U arrestua për vjedhje, pastruesja që mori paratë e ish-zyrtares së kryeministrisë merret sërish në pyetje. Si e mori kasafortën…
“Në atë shtëpi kam parë shuma të mëdha parash, po asnjëherë nuk e kam pyetur Aldën se nga vijnë dhe kush i sjell. Por kur ajo më kërkoi që unë t’i strehoja, vendosa të pranoj për shkak se kisha vite që punoja aty.
Kasafortën e mora në një çantë. Ishte e rëndë dhe thirra djalin me makinë të vinte e të më merrte. Im bir nuk ka ditur gjë se çfarë kisha në çantë”. Ky është një fragment nga dëshmia e gjatë dhe e dhënë për të disatën herë nga gruaja 49 vjeçe, Rozeta Dobi. Ajo ka vendosur të flasë dhe të tregojë të vërtetën në lidhje me gjithçka ka ndodhur në atë moment kur u mendua dhe u veprua për të inskenuar vjedhjen në shtëpinë e punëdhënëses së saj, Alda Klosi.
Edhe pse Rozeta Dobi, në krye të herës, i tha Prokurorisë së Alda Klosin e urrente dhe ndaj edhe e vodhi, ajo ka pranuar se në fakt e donte dhe kishte vendosur ta ndihmonte në lidhje me gjithçka që ajo pretendonte. Në rrëfimet e vazhdueshme të Rozeta Dobit, gruas që u konsiderua publikisht si “hajdute” janë dhënë detaje të rëndësishme për grupin e hetimit, ndonëse Prokuroria e besoi me shumë vonesë, por ajo që mbetet ende mister është se kush janë personat që i kanë sjellë paratë në shtëpinë me qira të Alda Klosit. Prokuroria shpreson dhe beson në një bashkëpunim të mundshëm të Klosit, ish-zyrtares së lartë të qeverisë sonë, e cila mund të hedh dritë jo vetëm me personat po edhe me shumëçka tjetër që ka lindur nga kjo ngjarje e dalë në dritë rastësisht.
Tabulatet e telefonave
Kur pritej që Alda Klosi të vihej në pranga, të rrëmbehej dëshmia-pendesë e Rozeta Dobit, të kryheshin kontrolle të tjera në tri banesa të zonjës Klosi, të gjitha me adresa të sakta, mirëmbajtja e të cilave iu kishte besuar Rozeta Dobit, në duart e hetuesve kanë rënë edhe telefonat e protagonistëve. Referuar të dhënave të besuara mësohet se janë konstatuar disa telefonata të menjëhershme të Alda Klosit, një prej të cilave edhe është zbardhur nga ana e grupit hetimor.
Në lidhje me këtë personazh me të cilin ka biseduar Klosi në telefon, mësohet se nuk është gjendur ende të merret në pyetje për shkak se nuk ndodhet brenda Shqipërie, ndonëse sipas të dhënave biseda nuk është kompromentuese, pasi personi i ka thënë që të vijojë procedurat e kallëzimit. Por, vonesa në hetim e Prokurorisë, përkundër dëshmisë së Rozeta Dobit, se të gjitha paratë që janë gjendur në shtëpinë e saj janë marrë te shtëpia e Alda Klosit dhe askund tjetër.
Por Rozeta, qëndroi gjithnjë, sipas hetimit, në pozitat e fajtores që e kishte sajuar vetë dhe e vetme atë vjedhje dhe Prokuroria e la në atë dëshmi gjithë ngjarjen deri me 3 shkurt, duke iu lënë kohë personave që kanë strehuar paratë tek Alda Klosi të veprojnë. Nga dëshmia e dhënë prej Dobit, mësohet se shifrat e parave që gjendeshin në shtëpinë e Klosit kanë qenë të madhe! “Kam parë kutia me para që vinin në banesën ku unë punoja, por nuk i njoh personat të cilët i kanë sjellë. Ajo që di është se Klosi kishte raporte të afërta personale me Arben Ahmetajn!” Por, policia dhe prokuroria kanë faktuar vetëm dy sasi parash, njëra e denoncuar si e vjedhur nga Dobi nga vetë Alda Klosi dhe sasinë tjetër që u gjet e fshehur, sërish sipas policisë, në tubin e aspirimit në shtëpinë e nënë e bir.
Paratë në shtëpinë e Alda Klosit
Në kallëzimin e parë të kryer nga Alda Klosi ajo dëshmoi se në shtëpinë e saj, në “Rrrugën e Kosovarëve” ishin vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë. Pasi Rozeta Dobi bashkë me të birin, Havierin ranë në pranga, Policia u kujtua ta pyeste Alda Klosin për burimin e atyre parave. Ajo iu tha se ato ishin të xhaxhait të saj, i cili po kurohej në Amerikë me sëmundje të rëndë, i cili ndërroi jetë vetëm pak ditë pas skandalit që mbërtheu mbesën e tij. Por, gjetja e parave të tjera, prej 404 mijë eurove në shtëpinë e Dobit e ndëlikoi hetimin, tha Prokuroria, që e autorizoi Policinë e Tiranës të ftonte këdo person që kishte punësuar Rozeta Dobin të dëshmonte nëse i kishte humbur ndonjë gjë. Dolën vullnetarë tre-katër persona, thuajse të gjithë lidhje e Alda Klosit, por asnjë prej tyre nuk i mori përsipër shifrën prej afro gjysmë milion euro.
Gjykata vendos të gjykojë pas 4 ditëve zyrtaren e qeverisë
Ndonëse arrestimi i saj është ekzekutuar mbrëmjen e së premtes, afër mesnatës, gjykata ka vendosur që vetëm ditën e sotme të gjykojë për masën e sigurisë ndaj zyrtares së qeverisë. Ndonëse pak orë pasi u vu në pranga, Alda Klosi përfundoi në spital me probleme kardiake, thanë burimet zyrtare, teksa edhe masa e sigurimit personal prite t’i komunikohet po në spital. Sipas të dhënave hetimore, bëhet me dije se organi i akuzës ka kryer hetime në lidhje me burimin e shumave të deklaruara nga personi nën hetim Alda Klosi, referuar faktit se ajo ka qenë subjekt i deklarimit të pasurive, duke qenë me detyrën e këshilltarit të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin në vitin 2020 dhe drejtor i kabinetit të ministrit të Shtetit për Rindërtimit dhe programin e reformave në vitin 2021.
Kjo është një nga frazat e shkëputura nga fashikulli në adresë të ish drejtoreshës së koncesioneve në kohën kur ministrinë për të cilën prokurori flet e drejtonte Arben Ahmetaj. Alda Klosi është nën hetim për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklaratë të rremë para Policisë. 41-vjeçarja është vënë në pozitë të vështirë prej të premtes, ditën kur e arrestuara Dobi tregoi se ish-zyrtarja i kërkoi t’i ruante paratë. Por ish-drejtoresha e koncesioneve e kishte vënë në lëvizje Policinë duke e kallëzuar pastruesen se i kishte vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, për të cilat pretendoi se i përkisnin xhaxhait që ja kishte besuar për kompletim shtëpie dhe për çdo nevojë tjetër shëndetësore.
Pikëpyetjen e parë në këtë hetim e vendosi vëllai i ish-drejtoreshës, i cili tha se paratë i kishte marrë hua te një mik biznesmen dhe se i duheshin për të kuruar xhaxhanë e ndjerë. Ky mosakordim deklaratash midis Alda Klosit dhe vëllait të saj Leonard Ciko vlerësohen si dëshmi të rreme në Polici e 41-vjeçares. Por, fjalët që e fundosin ish drejtoreshën Klosi janë ato të pastrueses, e cila pranon se kishte shikuar para ngado në shtëpitë e shefes dhe se kur i largoi prej andej nuk i kishte numëruar. Por, akuza më e rëndë është ajo e pastrimit të parave, për të cilën akuza duhet të provojë se paratë e kujt po pastronte ish drejtoresha. Ish-zyrtarja nuk do dalë në dhomën penale, por gjyqtari do shkojë në spital ku dhe do të dëgjojë palët. Zyrtarisht, Gjykata bëri me dije se procesi do të zhvillohet në orën 10.30 në dhomën e spitalit ku Klosi po mbahet në kujdes shëndetësor për shkak të problemeve me tensionin.