SYRI TV/ Lihen në burg 4 anëtarët e grupit kriminal, Brikena Frakulli merr përgjegjësinë
Gjykata e Tiranës la në burg Brikena Frakullin, Hortenca Biçakun, Artur Kriston dhe Klevi Banushin, si anëtarë të një grupi kriminal që tregtonin drogë në Tiranë. Frakulli e cila siguronte heroinën e kokainën, këmbënguli para togacve të zeza se vetëm ajo është përgjegjëse, teksa justifikoi 3 të pandehurit e tjerë.
SYRI TV
Arrest me burg caktoi Gjykata e Tiranës për 4 persona që ranë në pranga, në kuadër të operacionit "Kutia e Pandorës" të cilët përbën një grup kriminal të tregtimit të kokainës dhe heroinës në Tiranë. Brikena Frakulli, me precedent të mëparshëm për trafikimin e drogës, mori përsipër të gjithë përgjegjësinë duke justifikuar 3 të arrestuarit e tjerë.
"Çfarë do që ka ndodhur me veprimtarinë për të cilën na akuzoni, kam përgjegjësinë unë, të arrestuarit e tjerë nuk kanë lidhje me këtë veprimtari. Hortenca Biçaku është dadoja e vajzës time 4-vjeçare, ndërsa Artur Kristo punonjës i fermës time, nuk kanë asnjë lidhje”.
Frakulli e cila konsiderohet si personi që siguronte drogën dhe drejtonte grupin, nuk dha sqarime të mëtejshme. Togat e zeza i kujtuan se duhet të kishte parasysh që dëshmia e saj mund ti përdorej edhe kundër në proces. Nga ana tjetër organi i akuzës pretendon se disponon prova dhe përgjime që implikojnë 4 të pandehurit në veprimtarinë kriminale. Gjatë operacionit policia gjeti dhe sekuestroi 6 kilogramë lëndë narkotike heroinë e kokainë, 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare. Policia thotë se ka identifikuar edhe furnizuesin kryesor, por për shkak se operacioni është në vijim, mbahet sekret emri i tij.
Gaz. F.Gjinaj Mont. L.Islami Pamjet.Syri Tv