Futbollisti shqiptar në Turqi tregon momentet e frikës nga tërmeti: Një portier ka humbur jetën

Futbollisti i Rizesporit, Enriko Papa, ka përjetuar frikën e tërmetit që ka goditur Turqinë në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Turqia, 29-vjeçari tregon përjetimin e momentit, teksa ka qenë në katin e 14-të të hotelit ku ishte akomoduar.

Në Turqi aktivizohen krahas Enriko Papës edhe Odise Roshi, Ermir Lenjani, Eduard Rroca, Jurgen Bardhi, Dejvid Bregu, Omar Imeri dhe Endri Çekiçin, me këtë të fundit që ka qenë pranë zonës së epiqendrës së tërmetit.

Ku ishit në momentin që ndodhi tërmeti dhe a patët frikë?

Në momentin e parë e ndjeva goxha dhe zgjati diku tek 1 minutë. Sapo u ndalën lëkundjet, zbrita poshtë dhe erdha në bazën ku grumbullohet ekipi. Qëndrova këtu dhe pas një ore munda të fle pak. Pati edhe një tërmet tjetër në orën 11:30, por fati im është se jemi pak larg.

Ke pasur komunikim me futbollistë të tjerë shqiptarë, miq tuaj?

Më kanë shkruar të gjithë, janë interesuar për mua dhe dua t’i falënderoj dhe jam i lumtur, sepse mbështetja e njerëzit duhet në momente të vështira. Nuk kam ndërmend të lëviz, sepse këto janë gjëra që ndodhin dhe kështu që Zoti na ruajttë! Shpresoj që çdo gjë të mbyllet me kaq.

Në këto momente është e vështirë të flitet për futboll, në Turqi. A keni pasur komunikim me drejtuesit e klubit?

Për momenti është ndërprerë kampionati. Këtu tek ne nuk ka probleme, do ta vazhdojmë normalisht stërvitjen, por është një ekip që ka humbur një portier, një lajm shumë shumë i keq. Ishte portier i Malatyasporit (Ahmet Eyup Turkaslan 28 vjeç). Presim të na thonë se çfarë do të bëjmë. Në këto momente e kupton se sa e rëndësishme është jeta e njeriut, prandaj duhet të jemi të dashur me njëri-tjetrin, të mos shohim vlerat materiale apo interesat personale, të ndihmojmë sa më shumë njerëzit.