Berisha denoncoi i pari bashkëpunimin e Klosit me pastruesen: 700 mijë eurot u vodhën me Tigrin

Pasi u bë publik lajmi se një pastruese kishte arritur të vidhte një shumë të jashtëzakonshme parash nga banesa e një zyrtareje të lartë të Edi Ramës, shumëkush mendoi se ishte një raport mes autorit dhe viktimës.

Por i pari që denoncoi publikisht se zyrtarja e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt, e quajtur Alda Klosi, ka bashkëpunuar me pastruesen e saj, Rozeta Dobi, ishte kryetari demokrat, Sali Berisha.

“Janë bërë me dhjetëra kronika, me dhjetëra raportime, por një enigmë ku qëndron edhe çelësi i të vërtetës, nuk është trajtuar në dimensionin e duhur. Nuk është trajtuar raporti Rozeta-kasaforta. Sipas të gjitha të dhënave, Alda Klosi ose i mbante paratë në dyshek dhe flinte, se maniakët e parave, ndjehen komfort kur flenë në dyshekë të mbushur me parë, ose ajo i dha kodin e kasafortës. Ia dha në roje. Ia dha në mirëbesim. Pra, këtu qëndron edhe rebusi. Ndërkohë, Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë. Qeveria ka bërë çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj. Gjithçka është bërë dhe ajo realisht e kërcënuar shumë. Thirrja ime është që ajo të shpallet e penduar e drejtësisë,” deklaroi Berisha në fillim të këtij viti.

Sot u zbulua se Rozeta ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka hequr dorë nga avokati Artan Gjermeni, që ia kishin caktuar qëllimisht.

Duke komentuar sot këtë skandal, Berisha tha se kur ai paralajmëroi bashkëpunimin mes Alda Klosit dhe Rozeta Dobit, u quajt se ishte një konspiracion.

“Po si mundet një grua, pa asnjë haber nga teknologjitë sekrete, të hapë një kasafortë. Kodin Rozetës ia dha Alda. Ajo zbatoi urdhrat. Ccoi të fshehë 700 mijë euro të vjedhura së bashku me Tigrin e Korrupsionit, se ai ishte i papërmbajtur në vjedhje”, tha Berisha sot.

“Pra kemi të bëjmë një bashkëpunim mes Aldës dhe Rozetës për të larguar paratë nga shtëpia e Aldës. Qoftë me kasafortë, qoftë me dyshek,” tha Berisha më 13 janar.

Sot u raportua se Dobi ka pranuar se ka bashkëpunuar me Alda Klosin dhe se vjedhja ishte një inskenim.