'Shmangia e konfliktit në Ballkan': Mediu me dy kongresmenë amerikanë thërrasin forum për sigurinë
“Shmangia e një konflikti të mundshëm në Ballkan si dhe kundërbalancimi i agresionit rus dhe i ndërhyrjes së Kinës” ishte tema që u diskutua në forumin e sigurisë në Kongresin Amerikan.
Ky forum u organizua nga z.Fatmir Mediu në bashkëpunim me kongresmenët Pete Sessions dhe Robert Aderholt. Në këtë takim morën pjesë disa përfaqësues të Kongresit, Sessions, Aderholt, Lutrell, Wilson, Wamp, Moolinar, Mann etj.; deputetë dhe ministra nga Ukraina, Lithuania, Polonia, Rumania, Bullgaria, Kosova, Bosnja, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi: Maqedonia e Veriut, Serbia, Britania dhe Austria; autoritete nga Departamenti i Mbrojtjes dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Në takim z.Mediu theksoi problemet dhe tensionet e vazhdueshme në Ballkan, mundësinë e një konflikti të mundshëm të sponsoriziar nga Rusia për të tërhequr vëmendjen nga konflikti në Ukrainë, nëpërmjet disa fakteve evidente siç janë: shpenzimet luftarake pa kufi të Serbisë në bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën; situata në Bosnjë dhe veçanërisht kërkesa e Republika Serbska për shkëputje nga Federata e BiH; tensionet e qëllimshme në veri të Kosovës me shenja të agresionit ushtarak të Serbisë dhe bllokimi i dialogut;tensionet fetare dhe politike në Malin e Zi; prezenca e fuqishme ekonomike e Kinës në sektorë kritikë që lidhen me sigurinë kombëtare dhe teknologjinë.
Z. Mediu theksoj se Ballkani rrezikohet dhe nga zhvillimet e brendshme, rritja e autoritarizmit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, rritja e varfërisë dhe largimi masiv i të rinjve dhe të rejave, duke krijuar një problem të rëndë sa politik edhe social.
Kongresmenët shprehën mbështetjen e tyre për të ndihmuar Ukrainën dhe mposhtur regjimin e Putinit, ashtu siç shprehën shqetësimim e tyre për ndërhyrjet e Kinës në rajon dhe më gjerë nëpërmjet Iniciativës 17+1 dhe “Road and Belt”.
Pothuaj në çdo vend tashmë Kina është kthyer në kërcënim për lirinë dhe të drejtat e shtetasve tanë.
Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë përfaqësohej nga deputetët Damian Gjiknuri, Dhurata Çupi dhe Blerina Gjylameti.
Po ashtu delegacioni Kosovës përfaqësohej nga ish-kryeministrat, Ramudh Haradinaj, Hoti, kryetari i PDK Memli Krasniqi dhe deputetë nga gjithë grupet parlamentare.
Në këtë takim u ra dakort që të punohej për një legjislacion konkret që të bëjë një vlerësim të investimeve të huaja që cenojnë sigurinë kombëtare, ndërtimin e një strukture të koordinuar për vlerësimin e çështjeve të sigurisë.