Ramos: Messi është më i miri që ka nxjerr futbolli

Pasi kaloi 15 vite duke luajtur kundër Lionel Messit, Sergio Ramos befasoi me një intervistë që dha dje për PSG TV. Kujtojmë se legjendari spanjoll aktualisht luan si mbrojtës i klubit francez dhe bashkëlojtar i tij është Messi, për të cilin thotë se është “lojtari më i mirë që ka nxjerrë futbolli”.

Ramos luajti kundër Messit për vite si mbrojtës i Real Madridit, ata ndanë rivalitetin më të madh futbollistik në botë, atë të Realit dhe Barcelonës, por edhe atë të Ronaldos dhe Messit. Dyshja ndajnë dhomën e zhveshjes që nga viti 2021 dhe kjo periudhë me sa duket ishte e mjaftueshme që Ramos të inkurajohej të deklaronte se Messi është lojtar më i mirë se miku i tij i madh Ronaldo.

"Kam vuajtur për vite me radhë duke luajtur kundër Messit. Tani më në fund shijoj lojërat e tij. Ai është futbollisti më i mirë që ka nxjerr ndonjëherë futbolli", tha Ramos, duke lënë shumë të befasuar sepse për vite besohej se si shok i skuadrës së Ronaldos nuk kishte dyshime se në anën e kujt ishte në debatin e përjetshëm.