Rimarrja në pyetje e pastrueses fundosi Alda Klosin/ Rozeta Dobi përmend edhe Arben Ahmetajn

Ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë në kohën kur ministër ishte Arben Ahmetaj, Alda Klosi është arrestuar mbrëmjen e sotme pas një dëshmie të gjatë në polici të ish-pastrueses së saj Rozeta Dobi.

SYRI TV raporton se arrestimi ka ardhur pas rimarrjes në pyetje të Rozeta Dobit.

Dobi është marrë në pyetje ditën e sotme në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

“Pashë shumë para, kam pastruar tetë shtëpi. M'i la t'i fshihja. Shpesh i shikoja nëpër kuti”, citon Top Channel dëshminë e Dobit.

Veç kësaj e dyshuara ka folur edhe për Arben Ahmetajn thanë jozyrtarisht të njëjtat burime për Top Channel.

Sipas këtyre burimeve, pasi të ezaurohen disa veprime të domosdoshme hetimore, pritet qe dosja të kalojë për kompetencë në SPAK, mbasi Dobi ka folur për ish-ministrin e Financave Arben Ahmetaj.

Klosi është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku do t’i komunikohet akuza dhe arrestimi, më pas sipas protokollit do të transferohet në bllokun e sigurisë deri kur të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

Mësohet se ndaj Klosit rëndojnë akuzat për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale.