SYRI TV/ Dështon seanca paraprake për Sonila Qaton, nën akuzë për rrugën Kardhiq-Delvinë

Shtyhet për herë të tretë seanca paraprake ndaj ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato. Shkak është bërë mungesa e njërit prej avokatëve të të pandehurve. Qato akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dëmin me vlerë 5 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë.

Nga SYRI TV

Ka dështuar për të tretën herë seanca paraprake ndaj ish-drejtoreshës së Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qatos dhe 9 të pandehurve të tjerë që akuzohen për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi shtyrjen e seancës për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve.

Është planifikuar që e radhës të mbahet javën e ardhshme, ku togat e zeza të GJKKO-së do të vendosin nëse dosja do kalojë apo jo për gjykim.

Ish-drejtoresha e ARRSH-së u mor zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në tetor të vitit të kaluar.

Sonila Qato akuzohet nga SPAK për shkelje dhe favorizim të tenderave ose ankandeve publike për një lot të ndërtimit të rrugës Kardhiq-Delvinë.

10 persona janë marrë nën hetim nga SPAK, për disa vepra penale ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 milionë euro.

Hetimet e SPAK nisën pas kallëzimit të kompanisë “Gjoka Construciton sha” që mori pjesë në tenderin e rrugës, teksa fituese doli një bashkim kompanish që kishte ofruar vlerën më të lartë prej 18.9 milionë eurosh.

Indicje tjetër për hetime ishte një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet.

Nga auditimi ka rezultuar se nga gara është skualifikuar kompania me ofertën më të ulët duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 5 milionë euro.