SYRI TV/ Arrestohen dy mjekë të spitalit ‘Nënë Tereza’, kërkonin para për kryerjen e skanerit

Policia e kryeqytetit me kërkesë të prokurorisë ka vënë në pranga një mjek dhe një teknik imazherist në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ata akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Organi i akzuës pretendon se mjekët u kërkonin qytetarëve shuma parash për të kryer skanerin.

Nga SYRI TV

Një mjek dhe një teknik imazherist në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë përfunduar në pranga për korrupsion.

Mjekët N.M dhe A.M u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar “Skaneri” si rezultat i një hetimi disamujor.

Sipas prokurorisë është provuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure.

Burime bëjnë të ditur se shumat që këta dy punonjës të QSUT-së, uu kërkon qytetarëve për kryerjen e skanerit varionin nga 100-150 mijë lekë të vjetra.

Indieciet për nisjen e hetimeve ka qenë një prej qytetarëve, i cili ka kallëzuar mjekët në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa kjo e fundit i ka mbajtur nën vëzhgim prej disa kohësh.

Në dosjen hetimore të prokurorisë evidentohet fakti i përdorimit të metodave proaktive, përfshirë edhe përgjimet ndaj bluzave të bardha.

Organi i akuzës pritet të kërkojë masën e arrestit me burg në Gjykatën e Tiranës për veprat penale të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës.