SYRI TV/ Komision hetimor për zbardhjen e skandalit McGonigal, PD dorëzon kërkesën në Kryesinë e Kuvendit

Nënkryetari i PD, Luçiano Boci dhe deputetja Albana Vokshi dorëzuan në Kuvend kërkesën  për ngritjen e  komisionit hetimor për zbardhjen e skandalit “Rama-McGonigal”.  Boçi deklaroi para gazetarëve se Edi Rama do të japë llogari për lidhjet me ish-zyrtarin e FBI, ndërsa paralajmëroi se në rast të refuzimit  nga ana e maxhorancës, PD do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Nga SYRI TV

Partia Demokratike dorëzoi këtë të premte  në Kryesinë e Kuvendit kërkesën  e 44 deputetëve për ngritjen e  komisionit hetimor për  çështjen “McGonigal”.  

Kërkesa u depozitua nga nënkryetari i PD, Luçiano Boçi dhe deputetja Albana Vokshi.

Boçi deklaroi para gazetarëve se Edi Rama do të japë llogari në komisionin  hetimor, ndërsa paralajmëroi se do të hetohen dhe zbardhen të gjitha  lidhjet e  kryeministrit Rama me ish-zyrtarin e FBI, Charles McGonigal.

Në rast të refuzimit të kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor nga ana e maxhorancës, Boçi paralajmëroi se do të ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, kreu i Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka paralajmëruar se nuk do të pranojë kërkesën e demokratëve për komision hetimor për skandalin “Rama McGonigal”. Njëlloj socialistët vepruan edhe me kërkesën për hetimin  e udhëtimeve me charter të kryeministrit Rama. Sipas Boçit, kësaj rradhe maxhoranca duhet të ndryshojë strategji e të respektojë rregulloren e Kuvendit.