'Të bashkuar do të ringrihemi', Scaroni motivon Milanin përpara derbit

 

Pas një janari katastrofik ku Milani u detyrua që për shkak të rezultateve zhgënjyese t’i thoshte lamtumirë Kupës së Italisë, Superkupës, por edhe luftës për titull. Përballë është derbi i Milanos që ndoshta vjen në kohën më të keqe të mundshme për kuqezinjtë.

Megjithatë, në kampin kuqezi duhet të qëndrojnë të bashkuar. Kjo është edhe kërkesa e presidentit Scaroni i cili ka mbajtur një fjalim përpara skuadrës për momentin e vështirë që janë duke kaluar.

Sipas asaj që raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, Scaroni së bashku me drejtuesit e klubit, trajnerit dhe lojtarët kanë zhvilluar një drekë ku numri 1 i kuqezinjve është përpjekur t’i ngrejë moralin. “Së bashku do të ringrihemi”, ishte fjala kyçe e Scaronit në këtë drekë.

Ai u shpreh besimplotë te i gjithë stafi duke treguar afërsinë që kanë me ta. “Ne kemi shumë besim te ju. Ndihemi aq pranë jush saqë dëshirojmë të zbresim në fushë bashkë me ju”, ishin disa prej fjalëve të Scaronit, që pret një përmbysje të situatës që në derbin përballë Interit.