Revolta, Boçi arrin të marrë fjalën: Drejtësia amerikane e ka vënë Ramën në hetim, pse po vonon drejtësia shqiptare?!

Pas debateve të fuqishme në Kuvend sot dhe këmbënguljes së deputetëve të opozitës, kryetarja socialiste e parlamentit Lindita Nikolla u detyrua ta hedhë në votim, kërkesën për ndryshim të rendit të ditës kërkuar nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi opozita insistoi për një mocion me debat për skandalin e bashkëpunimit të kryeministrit Edi Rama me zyrtarin amerikan të arrestuar Charles McGonigal.

Kryetarit të Grupit parlamentar të PD, Luçiano Boçit, iu dha fjala tre minuta dhe më pas iu shtua edhe 2 minuta, gjatë të cilave ai argumentoi nevojën për debatin me mocion për kryeministrin që synoi të eliminojë opozitën e vendit duke financuar, korruptuar me miliona para në dorë.

Luçiano Boçi tha: Drejtësia amerikane ka vendosur nën hetim, Kryeministrin Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në përpjekjen e tyre të financimit me para në dorë dhe të financimit me interesa milionëshe për të ekzekutuar, për të eliminuar opozitën e vendit, e shkruar e zezë mbi të bardhë në aktin e Grand Jurisë. Të mos harrojmë që nuk është i vetëm dhe i rastësishëm, kryeministri me bashkëpunëtorët e tij, sepse ju keni bërtitur dhe ulëritur për atë hapjen e dosjeve , ndërkohë që aktivizoni atavizmat e Sigurimit të Shtetit për të goditur pikërisht opozitën.  

Por nuk është thjesht dora e zgjatur ajo që ka goditur opozitën. Dora kryesore që godet opozitën sot është vetë kryeministri, i investuar në çdo qelizë të korruptimit të shoqërisë shqiptare. Ka korruptuar ekonominë, mediat, parlamentin, ka korruptuar çdo gjë në Shqipëri dhe kaloi oqeanin, donte të korruptonte SHBA-në vetëm e vetëm që të realizojë ëndrrën e tij, eliminimin e opozitës me qëllim që të sundojë në një regjim putinist duke thënë gjithmonë “jam një hap përpara”.

Ku “një hap përpara”?! Në korruptim. Dhe kë korrupton ky kryeministër, kë?! Zimbabven, Burundin, Malin e Zi?!Maqedoninë e Veriut?!jo! Korrupton Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke goditur imazhin e sigurisë së shtetit kryesor që ruan ekuilibrat kryesorë dhe godet zemrën e demokracisë. Dhe ky njeri sot mungon, fshihet, ka frikë të japë llogari dhe prandaj duhet t’i nënshtrohet një mocioni debati, ku secili deputet të japë mendimin e tij. Ju po deshët mbrojeni, po deshët lëshojeni, ne do të bëjmë zbulimin e së vërtetës asaj të vërtete që sot institucionet e drejtësisë amerikane e kanë iniciuar dhe do të vazhdojnë dhe që drejtësia shqiptare duhet të vepronte menjëherë duke e marrë të pandehur. Pse vonon drejtësia shqiptare?!

E dini kush është deklarata qesharake e këtij kryeministri? Ato 225 mijë dollarë ishin borxh që McGonigal ia kishte marrë sigurimsit, Agron Nezës. A e kuptoni, ky është garanti i borxhit? Se ku i di ky këto muhabete me imtësi? Mjafton ky fakt për një drejtësi të drejtë, dhe e ka thënë sapo doli nga selia e PS. Hapeni videon, çuditem që nuk keni dijeni! Qeshni, se në të vërtetë është për të qeshur. Të vijë vetë dhe të japë llogari për gjithë këtë lloj të aktivitetit të tij të organizuar dhe me dëshirën e tij për ta finalizuar.“/ar.sh/SYRI.NET