Sulmohet nga hakerat 'Air Albania', ultimatumi: 'Paguani paratë, keni kohë deri me 14 shkurt'

Kompania ajrore 'Air Albania' ka rënë pre e një sulmi kibernetik. Sulmi ka nisur një ditë më parë dhe është i llojit 'Data breach', cënim i të dhënave me 'ransomware', i realizuar përmes Lockbit.

Grupi i hakerave i kanë vendosur kompanisë kusht për të paguar një shumë të konsiderueshme parash.

Ky lloj sulmi konsiston në marrjen “peng” të të dhënave, përmes hakerimit të sistemeve të kompanisë, e cila më pas kërcënohet të paguajë një shumë parash në këmbim të rimarrjes së aksesit apo mospublikimit të të dhënave.

Grupi i hakerave të “LockBit” raportohet se i ka kërkuar kompanisë të paguajë një shumë parash, që nuk është bërë publike mirëpo mësohet se i kanë vendosur datën 14 shkurt si afati i fundit për të paguar shumën. Në autoritetet përkatëse nuk është bërë asnjë denoncim për një sulm të tillë.

Ndonëse Shqipëria ka qenë prej muajsh nën sulme të vazhdueshme kibernetike nga grupi i hakerave iranianë, “Homeland Justice”.

LockBit sulmuan Bangkok Airways, një kompani e madhe ajrore në Tajlandë, në shtator të vitit 2021, firmën izraelite të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes EMIT Aviation Consulting në tetor të 2021 dhe Kuwait Airlines në qershor të 2022.

LockBit, i cili renditet i pari në botë për sulmet e llojit ransomware, arrin të bllokojë aksesin në kompjuterat e kompanisë, ndërkohë që vjedh ose fshin të dhënat nëse nuk kryhet në kohë pagesa.