Kosovë, Ambasada e SHBA përfshihet në diskutimin për Asociacionin

Prishtinë - Ambasadori amerikan Jeff Hovenier sot do të takohet me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin. Takimi është paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë,ku pritet të jenë të ftuar një numër i konsiderueshëm i shoqërisë civile.

Në këtë takim pritet të dëgjohen propozime nga aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, për atë se si do të duhej të dizajnohet Asociacioni.

Në një draft-statut të publikuar sot nga organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), parashihet që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Përfaqësuesi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee, tha në emisionin “Lajmet e Fundit” në RTK, se gjatë hartimit të tij, janë kujdesur që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se ky ka qenë edhe qëllimi i kësaj organizate gjatë hartimit të këtij drafti dhe njëherit që ai të jetë në përputhje dhe me Marrëveshjen e Brukselit.

Sipas tij, statuti i Asociacionit nuk do të këtë kompetenca ekzekutive. Ai bëri të ditur se me këtë dokument kanë filluar të punojnë qysh para një viti.

“Ky është një propozim për diskutim publik, qëllimi i organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung ishte që të japim një kontribut për debatin publik. Edhe më parë ka pasur shumë debate por askush nuk ka ofruar një propozim publik për këtë”, tha Schlee për RTK.