Lufta në Ukrainë: Joe Biden përjashton dërgimin e avionëve luftarakë F-16
Presidenti amerikan Joe Biden ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga zyrtarët ukrainas për mbështetje ajrore.
I pyetur nga një gazetar të hënën nëse SHBA do t'i siguronte avionët, zoti Biden u përgjigj thjesht "jo".
Komenti i tij vjen një ditë pasi udhëheqësi gjerman përjashtoi gjithashtu dërgimin e avionëve luftarakë.
Ukraina është shprehur se i duhen avionët për të marrë kontrollin e hapësirës së saj ajrore në luftën e saj të vazhdueshme me Rusinë.
F-16 Fighting Falcons konsiderohen gjerësisht si një nga avionët luftarakë më të besueshëm në botë dhe përdoren nga vende të tjera, si Belgjika dhe Pakistani.
Ata do të ishin një përmirësim i rëndësishëm për avionët luftarakë të epokës sovjetike që përdor aktualisht Ukraina, të cilët u bënë përpara se vendi të shpallte pavarësinë nga BRSS më shumë se 30 vjet më parë.
Megjithatë, zoti Biden ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur lutjet e Ukrainës për avionët, duke u fokusuar në sigurimin e mbështetjes ushtarake në fusha të tjera.
SHBA njoftoi javën e kaluar se do të furnizonte Kievin me 31 tanke Abrams, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania gjithashtu premtuan mbështetje të ngjashme.
Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Melnyk, e përshëndeti atë njoftim, por u kërkoi aleatëve krijimin e një "koalicioni të avionëve luftarakë" që do t'i siguronte Ukrainës gjithashtu avionë Eurofighters, Tornados, Rafales francezë dhe avionë suedez Gripen.
Në një intervistë të dielën , kancelari gjermane tha se "dukej e pavlerë" të diskutohej për dërgimin e ndihmës tjetër ushtarake në Ukrainë, kur ata sapo ishin zotuar për dërgimin e Leopard 2.
Olaf Scholz gjithashtu përsëriti për gazetën gjermane Tagesspiegel se aleanca ushtarake e NATO-s nuk ishte në luftë me Rusinë dhe se ajo "nuk do të lejonte një përshkallëzim të tillë".
Moska e ka akuzuar NATO-n si një agresore me prokurë dhe anëtarët e aleancës, përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, të hënën i bëri jehonë kësaj ndjenje - duke thënë se ndërsa "asgjë nuk përjashtohet" kur bëhet fjalë për ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, ajo nuk duhet as të ndezë më tej situatën dhe as të kufizojë aftësinë e Francës për të mbrojtur veten.
Vendet e tjera të BE-së, përfshirë Holandën, nuk kanë dhënë ende një përgjigje përfundimtare nëse do të dërgojnë avionë luftarakë.
Megjithatë, Polonia ka treguar se do të ishte e përgatitur të furnizonte me avionë luftarakë Ukrainën në koordinim me NATO-n.