Projekti Thumanë-Kashar, banorët e Bërxullës s’heqin dorë nga protesta për pronën: Do japim jetën
Banorët e Bërxullës, pronat e të cilëve preken nga ndërtimi i aksit ThumanëKashar, e kanë mbyllur javën me protesta.
Ditën e djeshme zhvilluan atë të radhës, duke tentuar që të bllokojnë rrugën e Rinasit, çka ka sjellë përplasje me Policinë e Shtetit, e cila i ka larguar prej aty me forcë.
Kërkesa
Kërkesa kryesore që ata kanë qysh prej nëntorit, kur nisën kundërshtitë për investimin e ri, është vlerësimi i pronës me çmimin e tregut. “Me 440 lekë çfarë toke të blej unë? Më thuaj ku është kjo toka dhe shkoj dhe e ndërtoj unë shtëpinë atje. Ne nuk jemi kundra zhvillimit por duam që toka jonë të vlerësohet siç duhet”, shprehet një prej banorëve të prekur duke e lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje. Protestuesit kësaj nuk kanë paraqitur vetëm kërkesa, ata thonë që janë të gatshëm të ulën në një tavolinë me ministrinë e infrastrukturës për të firmosur një marrëveshje që u leverdis të dyja palëve. “Ju lutem shumë ejani dhe të bisedojmë. Ne nuk duam përplasja jemi gati për marrëveshje të na dëgjoni, kemi nevojë të dëgjoni zërin tonë, pasi ne jemi banorët e vërtetë të tokave në Bërxullë.” Banorët ankohen se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin, e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin duke theksuar se dëmshpërblimi i ofruar është qesharak. Banorët kërkojnë vetë diskutime dhe konsultim publik, duke paralajmëruar se protestat e tyre do të jenë të pandalshme derisa e drejta të fitojë.
Ato paralajmëruan firmën kontraktore se nëse do të futet që të ndërtojë rrugën në pronat e tyre, ato nuk do t’i lejojnë.
“Çfarë do bëhet me tokën time? Duam sqarime, ejani dhe të bisedojmë”, thotë një tjetër banor. Banorët e Bërxullës, protestat për të mbrojtur pronën e tyre i nisën tre muaj më parë ata mësuan që nga koncesioni Thumanë–Kashar do të preken 30 hektarë tokë dhe 20 banesa të kësaj zonë.
Javën e kaluar banorët e Bërxullës e përshkallëzuan protestën. Një zonjë dhe nipi i saj kërcënuan se do të hidhen nga shtyllat e tensionit dhe do të vetëflijohen nëse nuk marrin një përgjigje nga institucionet. Policia ndërhyri duke bërë që situata të mos kthehej në tragjedi. Edhe pse kanë më shumë se 90 ditë që protestojnë, asnjë deputet i majtë apo i djathtë nuk është afruar për të mbështetur banorët e Bërxullës. ndaj ata deklarojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore. Banorët e Bërxullit tanimë e kanë vendosur se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa shprehen të vendosur se tokat e tyre nuk do t’i lëshojnë pa u kompensuar me çmimin e tregut.
“Do ketë fatin e Kalasë së Shkodrës, do bëhet lapidar pa nisur punimet”
Një prej protestuesve kundër rrugës ThumanëKashar ka paralajmëruar autoritetet që të ndërpresin punimet e rrugës. Ai tha se nuk do të lejojnë nisjen e punimeve duke theksuar se nëse nuk dëgjohet zëri i tyre rruga do të ketë fatin e Kalasë së Shkodrës. “E kam me dokumente që toka këtu është shitur, ja akti noterial i datës 31 dhjetor, ka shitur 50 euro metri. Ku e gjeti 4 euro metri katror zoti Berberi këtu. Apo marrin rrogën kot dhe nuk bëjnë asnjë detyrë. Ne shkresat na kanë ardhur nga autoriteti ku firma thotë që deri në datë 3 nëntor nuk ka pasur asnjë leje ndërtimi. Shteti me 14 Dhjetor ka miratuar një leje zhvillimore. Mos ta krahasojmë me Fushë Prezën. Ne kemi rregullat tona dhe ligjet tona. Këtë tokë nuk do ta falim për interesa të pushtetarëve dhe oligarkëve. Kjo rrugë do të ketë fatin e Kalasë së Shkodrës. Do të bëhet me lapidar pa filluar punimet. Kërkojmë vlerësimin sipas tregut dhe pajisjen me certifikatë. Firma ka zhvilluar 17% të punimeve, pa marrë lejen akoma”, thotë njëri prej banorëve të Bërxullës, duke shtuar më tej se ka dy javë që pret një përgjigje nga institucionet. Nisur nga kjo, ai thotë se ka ndërmend të tërhiqet dhe se do ta bllokojë rrugën deri sa qeveria të ulet në negociata. “Mos ta mendojnë kaq të lehtë, masat do të jenë shumë drastike për këta pushtetarë që nuk negociojnë me ne”.