SYRI TV/ Skandali 'Rama-McGonigal', Këlliçi: Edhe Veliaj është i përfshirë
Përfshirja e Edi Ramës në skandalin e Charls Mcgonigal është vetëm maja e ajsbergut. Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u shpreh në Syri Televizion se në këtë skandal dyshohet se është përfshirë dhe Erion Veliaj. Sipas Këlliçit, shumë informacione tregojnë se Veliaj ka pasur takime të shpeshta me McGonigal, ndërsa deklaroi se shpreson te hetimi i FBI për të zbardhur të plotë këtë skandal. Këlliçi deklaroi gjithashtu se Bashkia e Tiranës po u bën presion punonjësve për të votuar Veliajn
SYRI TV
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ishte i ftuar në edicionin e lajmeve të pasdites në Syri Televizion, ku foli për nisjen e fushatës dhe takimet me qytetarët. Nga turi “Jam këtu për t’u dëgjuar”, Belind Këlliçi tha se ka konstatuar shumë problematika, të cilat po i mban shënim.
Këlliçi u shpreh se qytetarët janë duke pritur me padurim dhe me revoltë zgjedhjet e 14 majit, për të votuar për ndryshimin.
Kandidati i opozitës u shpreh se programi i tij për Tiranën po bashkëshkruhet me qytetarët.
Gjatë intervistës, Belind Këlliçi denoncoi presionin që po i bëhet administratës së bashkisë për të mbledhur vota për Erion Veliajn.
Belind Këlliçi u ndal dhe te skandali i McGonigal, duke deklaruar se në të është i përfshirë dhe Erion Veliaj.
Kandidati i Partisë Demokratike dhe opozitës për Bashkinë e Tiranës, u shpreh i bindur te fitorja përballë Erion Veliajt në zgjedhjet e 14 majit.