Kreu i NATO-s kërkon që Koreja e Jugut të rrisë ndihmën e saj për Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi sot Koresë së Jugut të "rrisë" ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke këshilluar Seulin të heqë ndalimin e dërgimit të armëve në vendet në luftë.

“Nëse ne besojmë në liri, në demokraci, nëse nuk duam të mbizotërojnë autokracitë dhe totalitarizmi, atëherë atyre u duhen armë”, tha Stoltenberg sot në Institutin Shay në Seul, duke i bërë thirrje Koresë së Jugut të bëjë më shumë për të mbështetur Kievin.

Dje, Stoltenberg u takua me zyrtarë të lartë të Koresë së Jugut, duke përfshirë ministren e Jashtme Park Jin, si pjesë e një turneu që synon forcimin e lidhjeve të NATO-s me aleatët në Azi.

Koreja e Jugut është një eksportues gjithnjë e më i rëndësishëm i armëve në nivel botëror dhe së fundmi ka nënshkruar kontrata për shitjen e qindra tankeve në vendet evropiane, duke përfshirë Poloninë, një anëtare e Aleancës.

Megjithatë, ligjet e tij ndalojnë shitjen e armëve vendeve në luftë, duke e bërë të vështirë dërgimin e armëve në Ukrainë, të cilës Seuli megjithatë i ka dërguar pajisje ushtarake jo-vdekjeprurëse dhe ndihma humanitare.

Stoltenberg vuri në dukje se Kievit ka nevojë urgjente për më shumë armë. 

Ai vuri në dukje se vende të tilla si Gjermania dhe Norvegjia, të cilat kanë ligje të ngjashme me ato të Koresë së Jugut në lidhje me eksportet e armëve, e kanë ndryshuar atë për të mbështetur Kievin.

Koreja e Jugut hapi misionin e saj të parë diplomatik në NATO vitin e kaluar.

Stoltenberg tha se është "jashtëzakonisht e rëndësishme" që presidenti rus Vladimir Putin të mos e fitojë këtë luftë, duke thënë se një fitore ruse do ta bënte botën më të rrezikshme.

Në rast të një fitoreje ruse, mesazhi për liderët autoritarë, gjithashtu në këtë pjesë të botës, për ata në Pekin, do të ishte se përdorimi i forcës është mënyra për të marrë atë që dëshironi, shtoi Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se NATO nuk e konsideron Kinën një "kundërshtar" dhe se Aleanca beson në angazhimin e përbashkët për çështjet që variojnë nga kontrolli i armëve deri te ndryshimet klimatike.

Aleatët e NATO-s vazhdojnë të bëjnë tregti me Kinën, por ndjeshmëria energjetike e Evropës, e cila doli në pah në luftën në Ukrainë, dëshmon se ajo nuk duhet të bëhet "shumë e varur nga fuqitë autoritare", shtoi Stoltenberg.

Ai gjithashtu paralajmëroi se ushtria ruse po përgatitet për aksione të reja luftarake, pasi ka marrë armë, ndër të tjera, nga Koreja e Veriut, sipas të dhënave të inteligjencës të transmetuara nga Shtëpia e Bardhë. Pheniani e ka mohuar këtë dhe ka paralajmëruar se SHBA po e ekspozon veten ndaj pasojave vërtet të padëshiruara nëse vazhdon të përhapë thashetheme të tilla të pabaza.

Qeveria e Koresë së Veriut i quajti akuzat një "përpjekje marrëzie për të justifikuar" dërgesën e ardhshme të pajisjeve ushtarake amerikane në Ukrainë.