Presioni ndërkombëtar, Vuçiç: Kemi nevojë për paqe dhe jetë normale

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç flet për dialog e kompromis dhe nevojë për paqe e zhvillim, në një mesazh që edhe pse ai nuk e cilëson, duket se shkon direkt për bisedimet me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se Serbia planifikon të tregojë se dëshiron dialog dhe kompromis, por se ka parimet dhe pritshmëritë e veta.

Në një postim në instagram, ku pasqyron zhvillimet e javës që lamë pas, Vuciç thekson se paqja dhe jeta normale janë të nevojshme për të gjithë qytetarët serbë.

Mesazhi duket se shkon për bisedimet Kosovë-Serbi, për të cilat liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë pranuar se po përballen me presion ndërkombëtar.

“Ne kemi nevojë për paqe, një jetë normale për të gjithë qytetarët, rritje dhe zhvillim të mëtejshëm të vendit dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Plani është të punojmë edhe më shumë përballë sfidave, të përpiqemi të jemi më të mirët, të tregojmë se Serbia dëshiron dialog dhe kompromis, por edhe që të ketë parimet dhe pritshmëritë e veta.”

Duke e cilësuar të vetmen rrugë, Presidenti Serb kërkon më shumë energji dhe unitet.

“Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të flas me të gjithë për gjithçka dhe të luftoj edhe më shumë për Serbinë. Ne do të kemi nevojë për shumë energji dhe shumë më tepër unitet, por do ta shpëtojmë njerëzit dhe vendin do ta shtyjmë përpara, sepse kjo është e vetmja rrugë”.

SHBA dhe BE kanë intensifikuar përpjekjet diplomatike me qëllim rikthimin në bisedime direkte të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, me qëllim arritjen e një marrëveshje finale mes dy shteteve.

Në Kosovë, plani I ashtuquajtur Franko gjerman shihet si një bazë e mirë, ndërsa thekson se marrëveshja duhet të ketë në thelb njohjen e ndërsjelltë, ndërsa kundërshton ngritjen e asociacionit të komunave serbe me argumentin se nuk e lejon Kushtetuta dhe plani Ahtisari.