Korruptoi ish-zyrtarin e FBI/ Vasili: Rama të mos futet më në Kryeministri. Afera skenar mafioz!

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili i bën thirrje institucioneve ligjzbatuese që të hetojnë kryeministrin Edi Rama për korruptimin e zyrtarit të FBI, Charles McGonigal. 

Në një lidhje me skype për edicionin e pasdites në Syri Tv, Vasili tha se skandali Rama-McGonigal është një skenar mafioz dhe se drejtësia duhet të bëjë publike provat që inkriminojnë kryeministrin, siç bëri FBI. 

"Janë dy momente. Së pari për të zbardhur në kryq dhe themel të tërë këtë veprimtari të paligjshme, antishtetërore, të karakterit mafioz që është mundësuar nëpërmjet korruptimit që Edi Rama i ka bërë Charles McGonigal. Nga faktet që janë bërë publike, mungesa e dëshirës së plotë të organeve dhe institucioneve shqiptare për të bashkëpunuar, është shumë e qartë që McGonigal ka patur një komunikim intensiv në Shqipëri.

Autoritetet shqiptare kanë mjaft gjëra që i fshehin sepse janë nën regjinë e Edi Ramës i cili kërkon të fshehë të vërtetë. I bëj thirrje institucioneve shqiptare për t'i nxjerrë në shesh sepse do të ishte shumë e rëndë për ta, asgjësuese që këto të dhëna të vijnë nga SHBA të cilët i kanë investiguar dhe vazhdojnë të hetojnë për këtë çështje, lidhur me shumë hyrje-dalje që kanë ndodhur, ju i keni parë me dokumente, me foto, në bashki të vendit pa asnjë lidhje me FBI. Ça lidhje mund të ketë bashkia e Tropojës me FBI? Keni parë dreka e darka zyrtare në bashkinë e Kukësit, ndoshta edhe takime të caktuara në bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për një gjeografi lëvizjesh shumë të rrezikshme në funksion të skenarit mafioz të Edi Ramës dhe duhet hedhur ditë", tha Vasili.  

Ai tha se Rama tashmë nuk është më kryeministër, por i strehuar gabimisht. 

"Zyra e Kryeministrit praktikisht nuk është më zyra e kryeministrit. Unë nuk e kuptoj çfarë bën më ky njeri. Praktikisht nuk është më kryeministër, por i strehuar gabimisht në zyrën e kryeministrit. S'ka më punë në zyrën e Kryeministrit", theksoi nënkryetari i PL duke shtuar se kjo është ngjarja më e rëndë që historia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA ka parë ndonjëherë. 

"Qytetari Edi Rama shpërdoroi detyrën e kryeministrit, e përdhosi, e ktheu këtë në aferë mafioze dhe kriminale dhe si i tillë duhet të jetë para drejtësisë", vijoi më tej Vasili.